Sparta e Pragës dhe Interi përballen të mërkurën në orën 21:00 në Çeki, me sfidën që vlen për raundin e parafundit në grupin e Champions League. Në prag të ndeshjes para medieve së bashku me trajnerin doli edhe Qazim Laçi, mesfushori i vendasve dhe Kombëtares.
Ai tha se nuk ka folur me Kristjan Asllanin që bën pjesë te Interi, teksa do japë më të mirën në fushë pasi është një tifoz i Milanit.
"Sinqerisht, nuk kam folur me Asllanin. Është një shok, por do të jemi kundërshtarë për 90 minuta. Nuk mendoj se është ndeshje e pamundur me Interin.
Në Itali jam tifoz me Milanin, prandaj kjo sfidë më motivon më tepër. Interi ka një nga mesfushat më të forta, nesër do na duhet diçka më tepër për të konkurruar me ta.
Në opinionin tim janë një nga skuadrat më të mira në Europë prej disa vitesh. Ata i shkuan pranë dhe fitimit të Champions League", tha dibrani.