I njohur në mbarë botën si “ari i kuq”, shafrani mbetet një nga erëzat më të shtrenjta dhe më të vlerësuara, jo vetëm për shkak të procesit të vështirë të kultivimit dhe vjeljes, por edhe për përfitimet e shumta shëndetësore që ofron. Nga mijëra lule mblidhen vetëm fijet e kuqe delikate – stigmat – të cilat përpunohen me kujdes për të ruajtur aromën, ngjyrën dhe substancat aktive.
Tradicionalisht, shafrani është përdorur si erëz ushqimore, ngjyrues natyral dhe mjet shërues në mjekësinë popullore. Sot, shkenca moderne ka konfirmuar se kjo bimë përmban një përbërje unike kimike, e pasur me karotenoide, vajra esenciale, flavonoide, vitamina të grupit B, vitaminë C dhe minerale të rëndësishme. Këta përbërës i japin shafranit veti antioksiduese, antiinflamatore, neuroprotektive dhe antidepresive.
Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja në “Rreze Dielli” në Report TV tregon se shafrani i kuq është një nga erëzat më të shtrenjta në botë.
“Shafrani është një bimë e kultivuar në vendet tona. Nxirret nga lulet, ku merren stigmat e kuqe (fijet). Për 1 kg stigmë nevojiten rreth 200 000 lule dhe afërsisht 200–300 ditë pune, ndaj dhe çmimi i saj është i shtrenjtë, por dhe për vetë pasurinë e jashtëzakonshme shëndetësore që mbart”.
Për shkak të vlerës së lartë, shafrani shpesh falsifikohet, duke e bërë të domosdoshme njohjen e mënyrave të identifikimit të produktit origjinal.
Dallimi nga shafrani fallco (Fije nga mustaqet e misrit, kalendula, bojë tekstili…)
Testi i ujit: Në 200 ml ujë hidhen 10 fije shafran dhe 1 lugë çaji mjaltë. Ngjyra si flori shpërndahet dhe stigmat e kuqe pas 15 minuta tregojnë shafran të vërtetë natyral. Nëse ngjyra e kuqe del menjëherë dhe stigmat bëhen të bardha, tregon për falsifikim.
“Përdorimi i shafranit ndihmon në përmirësimin e humorit, uljen e ankthit dhe simptomave të depresionit, stabilizimin e sistemit nervor dhe rregullimin e hormoneve të stresit, si kortizoli. Gjithashtu, shafrani ndikon pozitivisht në shëndetin e zemrës, duke përmirësuar qarkullimin e gjakut, ulur inflamacionin në enët e gjakut dhe ndihmuar në reduktimin e kolesterolit të dëmshëm. Përfitime të tjera lidhen me mbrojtjen e shikimit, përmirësimin e tretjes, forcimin e sistemit imunitar dhe mbrojtjen e qelizave nga dëmtimet oksidative”, thekson Merja.
Vlerat shëndetësore të shafranit
* Qetëson sistemin nervor, frenon ankthin dhe depresionin: ndikon në neurotransmetuesit kryesorë, rrit serotoninën, stabilizon humorin, qetëson irritimin nervor qendror
* Ul kortizolin (hormoni i stresit)
* Antioksidant për trurin, mbron neuronet nga stresi oksidativ, më i fortë se kamomili dhe valeriana
* Ndikon në zemrën dhe qarkullimin e gjakut, ul inflamacionin në arterie dhe vena
* Ul kolesterolin
* Përmirëson qarkullimin e gjakut, mbron enët e gjakut
* Ndikim në sytë, mbron retinën, përmirëson mprehtësinë ndaj dritës
* Aparati tretës: lehtëson spazmat, ngërçet, nxit tretjen
* Antioksidant dhe antikancerogjen: neutralizon radikalet e lira, ndikon si frenues ndaj rritjes tumorale
* Ndikim te hormonet dhe metabolizmi: ndihmon në balancimin hormonal, ul oreksin emocional, ul fryrjen
* Ndihmon në formimin e qelizave të gjakut, përmirëson oksigjenimin e indeve
Përdorimet e shafranit
Në praktikën e përditshme, shafrani përdoret në forma të ndryshme, gjithmonë në sasi të vogla dhe të kontrolluara. Në kuzhinë, ai shërben si erëz dhe ngjyrues natyral për oriz, supa, ëmbëlsira dhe pije, duke i dhënë ushqimit aromë karakteristike dhe ngjyrë të artë. Në mjekësinë alternative, shafrani përdoret kryesisht në formë çaji dhe i kombinuar me bimë të tjera mjekësore.
“Kujdes në dozimin, për shkak të fuqisë së tij biologjike! Shafrani duhet përdorur me kujdes, dozat e larta mund të shkaktojnë efekte të padëshiruara”, thekson Merja, duke treguar se përdorimi te fëmijët 20–25 fije në ditë është toksik, ndërsa përdorimi nga të rriturit mbi 1.5–2 g shkakton toksicitet. Fëmijët deri në moshën 5–7 vjeç mund të përdorin 3–5 stigma (fije) në ditë; fëmijët 7–13 vjeç mund të përdorin 5–8 stigma në ditë; të rriturit 10–12 stigma. Vetëm në rast depresioni deri 20 stigma/ditë.
Për qetësimin e ankthit dhe përmirësimin e gjumit, shafrani kombinohet shpesh me kamomil ose bar blete. Për shëndetin e zemrës dhe qarkullimin e gjakut, përdoret në infuzione të lehta, ndërsa për uljen e stresit dhe kortizolit rekomandohet konsumimi i disa fijeve të shafranit të tretura në ujë të vakët ose qumësht. Në mjekësinë popullore, shafrani është përdorur edhe për përmirësimin e oreksit, lehtësimin e spazmave të aparatit tretës dhe si ndihmës natyral në rastet e lodhjes mendore.
Kombinimet me frytdhënëse të shafranit
* Për ankthin, depresionin: shoqërojmë shafranin me 2–3 lugë çaji harmonia
* Për zemrën: shafran 12 fije me muriz lule 1 lugë gjelle
* Për ulje të kortizolit: ujë 200 ml, shafran 12 fije dhe bar blete
* Për të ulur inflamacionin në arterie: në një gotë kos shtohen 12–15 fije shafran dhe 1 lugë supë kardiomer.
Komente












