/ATSH/- Zv/kryeministri dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në qeverinë e Kosovës, Kujtim Shala, bashkë me kryetarin e komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, vizitoi sot klubin e futbollit "Feronikeli" dhe punimet që janë zhvilluar në stadiumin "Rexhep Rexhepi", ku siguroi se do të investohet në përmirësimin e infrastrukturës së futbollit.

"Unë e kuptoj shumë mirë rëndësinë e infrastrukturës pasi edhe vetë kam qenë dikur futbollist. Ne si ministri kemi përkushtimin tonë që ta ndihmojmë me të gjitha fuqitë dhe mjetet në dispozicion futbollin e Kosovës", tha ministri Shala.

Në Drenas, gjithashtu, ministri Shala vizitoi edhe stadiumin ndihmës që po ndërtohet me donacion të Bashkimit Evropian, i cili besohet se do të jetë i gatshëm gjatë këtij viti për shfrytëzim nga klubi "Ferronikeli" dhe do të jetë një ndihmesë e madhe për stërvitjen e futbollistëve.