Një kriminel shqiptar ka organizuar një festë me shampanjë për të festuar faktin që ende ndodhet në Britani, 10 vjet pasi ishte urdhëruar të largohej, shkruan The Telegraph.
Dorian Puka, 29 vjeç, i cili është burgosur dhe dëbuar dy herë për vjedhje përpara se të futej sërish fshehurazi në vend, e shënoi këtë moment me një festë VIP në një klub, i rrethuar nga balerina dhe shampanjë me vlerë mijëra paund.
Grabitësi u pa duke kërcyer me një person me nanizëm, duke kënduar dhe duke pirë nga një nargjile të mërkurën në mbrëmje.
Puka mori me qira një seksion VIP në Cirque le Soir, një vend i preferuar i të famshmëve, dhe më pas publikoi pamje në faqen e tij në Instagram.
Gjatë vitit të kaluar, Puka ka përdorur rrjetet sociale për t’u tallur me Ministrinë e Brendshme me video të stilit të tij luksoz të jetesës, duke ekspozuar gjashtë orët e tij Rolex dhe makina luksoze të nivelit më të lartë si Ferrari dhe një Lamborghini URUS V8 e vitit 2022 me vlerë 180,000 paund.

Ministria e Brendshme ka pranuar se është e pafuqishme ta largojë sërish Pukën derisa kërkesa e tij për azil të shqyrtohet plotësisht, por ka paralajmëruar se kriminelët e huaj nuk duhet të kenë “asnjë dyshim” se ligji do të zbatohet.
Puka u burgos fillimisht më 17 shkurt 2015, pasi u kap duke vjedhur një shtëpi në Tëickenham, në jugperëndim të Londrës, ndërsa pronari ishte me pushime në Francë. Pronari e pa krimin përmes një kamere dhe njoftoi policinë.
Hajduti u dënua me nëntë muaj burg dhe “pranoi” të largohej nga Britania pas lirimit. Por brenda një viti, ai arriti t’u shmangej kontrolleve kufitare dhe u rikthye në Mbretërinë e Bashkuar për të kryer një seri tjetër vjedhjesh në periferi të Londrës.
Puka u kap përfundimisht nga oficerë civilë që patrullonin në Surbiton, gjithashtu në jugperëndim të kryeqytetit, pasi ishte raportuar rritje e vjedhjeve në zonë. Ai mbante një orë të shtrenjtë që e kishte vjedhur.
Shqiptari u dënua me tre vjet e gjysmë burg dhe më pas u dëbua në mars 2020.
Gjatë kohës së tij në një burg në Mbretërinë e Bashkuar, Puka fitoi nam për përdorimin e një telefoni celular të paligjshëm, të futur fshehurazi në burg, për të postuar foto në Instagram. Ai pozoi krah për krah me liderin e një grupi të krimit të organizuar, i cili po vuante një dënim 12-vjeçar për komplot për furnizim me kokainë dhe pastrim parash.
Pasi u kthye në Shqipëri për disa muaj, ai udhëtoi përmes Gjermanisë, Belgjikës dhe Holandës përpara se t’u shmangej kontrolleve kufitare për të hyrë sërish në Britani në dhjetor 2020, sipas llogarisë së tij në Instagram.

Përballë dëbimit, ai paraqiti një kërkesë për azil dhe që nga viti 2023 ndodhet në liri me kusht imigracioni dhe i pajisur me byzylyk elektronik, ndërsa pret që një gjykatë të vendosë për kërkesën e tij.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme tha: “Kjo qeveri nuk do të lejojë kriminelët e huaj dhe migrantët e paligjshëm të shfrytëzojnë ligjet tona, prandaj po reformojmë ligjet për të drejtat e njeriut dhe po zëvendësojmë sistemin e dështuar të apelimeve, duke na lejuar të rrisim dëbimet.
“Sekretari i Brendshëm ka njoftuar reformat më gjithëpërfshirëse për të trajtuar migracionin e paligjshëm në kohët moderne, të cilat do ta bëjnë Britaninë një destinacion më pak tërheqës për migrantët e paligjshëm dhe do ta bëjnë më të lehtë largimin dhe dëbimin e tyre”, përfundon artikulli.
Komente












