Një nga grabitjet më të mëdha të verës të regjistruara ndonjëherë në Itali ka ndodhur në Toskanë, ku janë vjedhur mbi 30 mijë shishe verë të cilësisë së lartë, me një vlerë që kalon 5 milionë euro.

Grabitja ka ndodhur mes netëve të 2 dhe 4 tetorit në qendrën logjistike dhe të shpërndarjes së kompanisë italiane “Marchesi Antinori” në Cortona. Shishet ishin gati për t'u dërguar te klientët në vende të ndryshme të botës.

Mes verërave të vjedhura janë disa nga etiketat më të njohura italiane, si Solaia, Tignanello dhe Guado al Tasso, të konsideruara ndër verërat më të kërkuara nga koleksionistët ndërkombëtarë.

Sipas drejtorit ekzekutiv të kompanisë, Renzo Cotarella, autorët ishin një grup i mirëorganizuar. Ata çaktivizuan sistemin e alarmit, nxorën jashtë funksionit kamerat e sigurisë, hynë në ambientet e kompanisë me dy kamionë të mëdhenj dhe përdorën edhe mjetet ngritëse të vetë kompanisë për të ngarkuar verën, përpara se të largoheshin pa lënë gjurmë.

Të gjitha shishet e grabitura ishin të pajisura me sistem kundër falsifikimit, ndërsa hetimet po zhvillohen nga Karabinierët dhe Policia e Shtetit italian për të identifikuar autorët dhe për të gjurmuar ngarkesën e vjedhur.

Sipas mediave italiane, për shkak të sasisë dhe vlerës së mallit të grabitur, kjo konsiderohet grabitja më e madhe e verës e kryer ndonjëherë në Itali dhe një nga më të mëdhatë e regjistruara në nivel ndërkombëtar.