Për muaj me radhë, një 14-vjeçar italian jetoi nën frikë, duke u detyruar t’i jepte para një të riu shqiptar që e ndalonte në rrugë dhe e kërcënonte vazhdimisht.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Mugellos në Itali, ku një 21-vjeçar shqiptar, tashmë i dënuar, i dilte përpara të miturit pothuajse çdo javë, në rrugë apo në park, dhe i kërkonte para. Shumat ishin të vogla, nga disa monedha deri në 15 euro, por presioni ishte i vazhdueshëm. Në total, gjatë muajve, dyshohet se i mori rreth 200 euro.
Kërcënimet ishin të drejtpërdrejta: nëse nuk jepte para, do të rrihej. Madje, i ishte thënë se do ta kërkonin edhe në shtëpi. I trembur, 14-vjeçari nuk u kishte treguar asgjë prindërve për gjithë këtë kohë.
Situata arriti kulmin në fund të prillit 2025, kur i riu i mori me forcë edhe portofolin. Vetëm pas kësaj, i mituri vendosi të flasë dhe t’u tregojë prindërve çfarë kishte kaluar.
Pak ditë më vonë, babai ndërhyri për ta mbrojtur nga provokimet e përsëritura, por u përball me dhunë. Sipas asaj që është zbardhur nga mediat italiane, ai u sulmua me shkopinj nga grupi dhe mbeti i lënduar. Më pas bëri kallëzim në polici.
Hetimet çuan në identifikimin edhe të tre të rinjve të tjerë, atëherë 16 dhe 17 vjeç, që janë nën hetim. Ndërsa 21-vjeçari, i cili e priti vendimin në arrest shtëpie, u dënua me 3 vite e 8 muaj burg për zhvatje, grabitje dhe plagosje./CorrieredellaSera
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









