41-vjeçari Ervis Deti, pjesë e grupit të Visit të Pojës është ekstraduar ditën e sotme nga Shqipëria drejt Italisë, pasi Gjykata në Bari ka caktuar masën e sigurisë 'arrest me burg' ndaj tij për 'veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.'
"Në vijim të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, është finalizuar procedura për ekstradimin nga Shqipëria në Itali të shtetasit E. D., 41 vjeç, të cilit, në vitin 2025, autoritetet gjyqësore në Bari, Itali, i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal", njofton policia.
Gjykata e Posaçme e dënoi Detin në 28 prill të këtij viti me 2 vite burg, nga të cilat do të duhet të vuante vetëm 1 vit e 4 muaj, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Përmes qëndrimit në paraburgim, duket se Deti e ka shlyer dënimin në Shqipëri dhe u krye ekstradimi i tij në Itali, ku do të përballet edhe atje me drejtësinë për trafikim të drogës.
Në total për grupin e Visit të Pojës Gjykata e Posaçme kishte lëshuar 29 masa sigurie. Ervis Deti u akuzua nga SPAK se kishin konsumuar elementët e veprës penale "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Grupi i Visit të Pojës u godit në kuadër të operacionit ‘Ura’ dhe dyshohet se kanë trafikuar rreth 3.6 ton kokainë dhe kanabis. Gjatë operacionit, atyre ju sekuestruan 4 milionë euro cash dhe 12 milionë euro prona.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.











Komente
Komento