SHBA/ Ashpërsimi i politikave për emigracionin me ardhjen e Trump dhe beteja e pritshme për emigrantët

SHBA/ Ashpërsimi i politikave për emigracionin me ardhjen e Trump dhe beteja e pritshme për emigrantët

Aktivistët për mbrojtjen e emigrantëve në San Françisko

SHBA - Një nga premtimet elektorale të Presidentit të zgjedhur Donald Trump ishte përpjekja për të miratuar në Kongres legjislacionit kundër qyteteve të cilat nuk zbatojnë politika të ashpra ndaj emigrantëve. Në këto qytete bashkëpunimi me strukturat federale të emigracionit është i kufizuar. Siç njofton korrrespondentja e Zërit të Amerikës, Aline Barros, disa zyrtarë vendorë zotohen se do t’i kundërvihen administratës së re Trump.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump bëri premtime gjatë fushatës elektorale për të ashpërsuar politikat për emigracionin. Ai u zotua të shkurtojë fondet federale nga të ashtuquajturat "qytetet parajsë", qeverisja lokale e të cilave kufizon bashkëpunimin me autoritetet federale të imigracionit.

“Sapo të marr detyrën, do të shtojmë menjëherë organet e zbatimit të ligjit federal në çdo qytet që po dështon, që janë shumë të tillë, për të dorëzuar kriminelët e huaj. Dhe ne do të gjurmojmë dhe do të kapim çdo anëtar bandash, shpërndarës droge, përdhunues, vrasës dhe kriminelë emigrantë që po strehohet në mënyrë të paligjshme”, tha zoti Trump në muajin shtator.

Ndër qytetet parajsë janë Nju Jorku, San Françisko, Los Anxhelosi... si dhe Takoma Park, në Maryland, shtetin fqinj me kryeqytetin Uashington. Atje është kryetare bashkie Talisha Searcy.

“Departamenti ynë i policisë vazhdon të zbatojë ligjet kundër shkelësve. Kjo është e rëndësishme të theksohet. Pra, nëse ka çështje të kriminalitetit në komunitetin tonë, pavarësisht nga statusi i emigracionit të dikujt, ne i zbatojmë”, tha kryebashkiakja Searcy.

Ajo thotë se Takoma Park ka qenë një qytet parajsë që nga viti 1985.

"Punonjësve tanë nuk u lejohet të zbatojnë ligjet e emigracionit në qytetin Takoma Park. Ndalohet të pyesin për shtetësinë, apo statusin e emigracionit, për të marrë pjesë në programet e qytetit, ose për të marrë mbështetje nga qyteti", thotë ajo.

Kryebashkiakja thotë se kjo ndihmon në mbajtjen e komuniteteve të sigurta, sepse emigrantët nuk kanë frikë të raportojnë krimet tek autoritetet.

Gjatë mandatit të tij të parë, ish-Presidenti Trump veproi me urdhrin e tij të parë ekzekutiv për t'i dhënë fund lëvizjes së qyteteve parajsa.

Por, urdhri u shpall jokushtetues, sepse qeveria federale nuk kontrollon zbatimin e legjislacionit të shteteve dhe të autoriteteve vendore.

Disa shtete, si Florida, kanë miratuar ligje që kërkojnë bashkëpunimin me autoritetet federale të emigracionit.

“Ne nuk jemi një shtet parajsë. Ne i ndaluam qytetet parajsa, por ju duhet të keni llogaridhënie efektive për t'i mbajtur ata njerëz përgjegjës, nëse zgjedhin të shkojnë në një drejtim tjetër”, tha guvernatori i Floridas, Ron DeSantis.

Ai thotë se ai synon ta ndihmojë Presidentin e ardhshëm Trump në aksionin e propozuar.

Kryebashkiakja Searcy thotë se qyteti Takoma Park është përgatitur për konflikte të mundshme me administratën e ardhshme.

"Synojmë të mbajmë idealet tona dhe të mbajmë politikat tona dhe të mbajmë kodin tonë, si ligjin që mbizotëron në qytetin Takoma Park", thotë kryebashkiakja Searcy.

Ndërsa Presidenti i zgjedhur Trump premton politika të ashpra për emigracionin, aktivistët për emigracionin në qytetet parajsë zotohen se do t’i kundërvihen administratës së re./ VOA

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 18 Janar, 08:40

    A duhen bërë publik emrat e politikaneve që kanë përdorur Sky Ecc?



×

Lajmi i fundit

Superkupa 'deh' Barcelonën, Getafe e ndal 1-1

Superkupa 'deh' Barcelonën, Getafe e ndal 1-1