Demokratja Eileen Higgins ka fituar garën për kryetar bashkie në Miami në Florida, hera e parë që dikush nga partia e saj e ka arritur këtë në gati 30 vjet.
Me afërsisht 59% të votave, 61-vjeçarja, një ish-komisionere qarku, mundi republikanin Emilio T. Gonzalez në zgjedhjet e balotazhit, i cili u mbështet nga Presidenti Donald Trump, duke u bërë gruaja e parë në historinë e vendit që merr drejtimin e qytetit të shtetit të Floridës.
Për Trump, pas zgjedhjes së Zohran Mamdanit si kryebashkiak i Nju Jorkut dhe triumfit të demokratëve Abigail Spanberger dhe Mikie Sherrill, guvernatoreve të reja të Virxhinias dhe Nju Xhersit, përkatësisht, kjo përfaqëson një tjetër pengesë të madhe. Një goditje e rëndë, veçanërisht në dritën e zgjedhjeve të mesit të mandatit të planifikuara për nëntor 2026.
Duke folur para mbështetësve pas fitores, Higgins tha: "Miami zgjodhi një drejtim të ri... ju zgjodhët kompetencën mbi kaosin".
"Sonte, njerëzit e Miamit bënë histori. Së bashku, lamë pas vite kaosi dhe korrupsioni dhe hapëm një epokë të re për qytetin tonë, të karakterizuar nga një lidership etik dhe i përgjegjshëm i përqendruar në ofrimin e rezultateve të prekshme për njerëzit tanë", shtoi Higging.
Higgins tani zëvendëson kryebashkiakun në largim, Francis Suarez, i cili kandidoi për një kohë të shkurtër për nominimin republikan për president.
Komente








