Sulmet amerikane ndaj Iranit vijuan për të 11-n natë radhazi. Komanda qendrore tha se ushtria goditi qendra operative ushtarake iraniane, kapacitete detare, hangarë avionësh e depo dronësh për të ulur më tej aftësinë e Iranit për të kërcënuar trafikun tregtar në Ngushticën e Hormuzit.
Irani u përgjigj në të njëjtën formë të ditëve të fundit me sulme ndaj bazave amerikane në Bahrein e Kuvajt. Pas sulmeve zëdhënësi i ushtrisë iraniane Ebrahim Zolfaghari pretendoi në rrjetet sociale se bazat amerikane në Bahrein dhe Kuvajt janë nxjerrë jashtë funksionit.
Megjithatë Irani ka tentuar të kontaktojë Shtetet e Bashkuara, për të nisur bisedime me synim zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Këtë e deklaroi sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në nisje të një takimi me diplomatë të Azisë Juglindore, në Filipine. Megjithatë Rubio thotë se problem mbetet fakti se Irani nuk i merr seriozisht bisedimet. Nëse nuk do të jenë seriozë do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur interesat tona dhe të aleatëve, tha Rubio.
Por krahas krizës në Iran një tjetër sfidë sigurie dhe diplomatike duket se po fiton terren. Rebelët Houthi në Jemen deklaruan se kanë detyruar 6 anije të ndryshojnë kurs në Detin e Kuq.
Lajmi u publikua nga agjencia e lajmeve Saba, e kontrolluar nga rebelët që raportoi se ata paralajmëruan kompanitë ndërkombëtare të transportit detar të shmangin kalimin në Ngushticën Bab el-Mandeb, hyrjen strategjike në Detin e Kuq në skajin jugor të Gadishullit Arabik. Kjo u konfirmua për Associated Press nga tre zyrtarë Houthi.
Por presidenti amerikan thotë se nuk ka një bllokadë detare në këtë pjesë të rajonit. Megjithatë Donald Trump thotë se nëse ajo do të ndodhë ushtria amerikane do të përfshihet.
“Deri tani nuk ka ndodhur. Mund të ndodhë, por ne dimë si të merremi me këto situata. Nëse ndodh diçka e tillë, do të veprojmë. Jemi marrë edhe më parë me Houthit”, tha Trump.
Të hënën e 20 korrikut zëdhënësit Houthi shpallën një bllokadë të menjëhershme detare ndaj anijeve të lidhura me Arabinë Saudite. Veprimet e pretenduara janë përqendruar në Ngushticën Bab el-Mandeb, korridor strategjik që lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit nga ku kalon sipas vlerësimeve 7% e sasisë globale të karburanteve.
Presidenti amerikan Donald Trump ka miratuar një marrëveshje me Arabinë Saudite për një program bërthamor civil, i cili mund të hapë rrugën për pasurimin e uraniumit në mbretëri, raporton Wall Street Journal, duke cituar burime nga administrata amerikane.
Marrëveshja ka një afat prej 30 vjetësh dhe vlerësohet në dhjetëra miliarda dollarë. Kompanitë amerikane do të kenë një rol qendror në zhvillimin e infrastrukturës bërthamore të Arabisë Saudite, pa praninë e konkurrentëve të tjerë të huaj.
Ndër elementët e marrëveshjes parashikohet edhe mundësia e ndërtimit të një impianti për pasurimin e uraniumit, nëse kjo do të konsiderohet e nevojshme.
Sipas administratës amerikane, mënyra se si është strukturuar marrëveshja u garanton Shteteve të Bashkuara një kontroll de facto mbi programin bërthamor saudit, me qëllim që ai të mos përdoret për qëllime ushtarake.

Foto: Donald Trump
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranit, duke deklaruar se çdo sulm i ardhshëm iranian ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit do të pasohet nga goditje ushtarake amerikane ndaj infrastrukturës iraniane.
Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump shkroi se SHBA do të përgjigjet duke bombarduar objektiva strategjikë në Iran.
“Nga kjo pikë e tutje, sa herë që Republika Islamike e Iranit qëllon një anije në Ngushticën e Hormuzit, qoftë me raketë, dron apo çdo lloj arme tjetër, Shtetet e Bashkuara do të bombardojnë dhe shkatërrojnë një urë ose termocentral, përfshirë ato pranë ose në kryeqytetin Teheran”, shkruan Trump.
Më herët, Trump tha gjithashtu se objektivi i ardhshëm ushtarak mund të jetë kompleksi i njohur si Pickaxe Mountain, një objekt nëntokësor për të cilin SHBA dyshon se lidhet me programin bërthamor iranian.
“Ne do ta godasim atë zonë shumë shpejt dhe shumë rëndë”, u shpreh Trump.
Komente








