Pakistani, ndërmjetësuesi i negociatave mes SHBA dhe Iranit njoftoi se marrëveshja e paqes SHBA-Iran është thuajse gati dhe pritet të firmoset ndoshta brenda kësaj të diele. Teksa e quajti marrëveshjen historike kryeministri i Pakistanit Shabaz Sharif sqaroi edhe mënyrën sesi ajo do të firmoset nga palët nga distanca, përmes firmave dixhitale.
“Jemi më afër një marrëveshjeje paqeje se kurrë më parë. Me përfundimin e saj që pritet me shumë gjasa brenda 24 orëve të ardhshme, Pakistani po përgatitet për nënshkrimin elektronik të marrëveshjes së paqes menjëherë pas kësaj, i ndjekur nga bisedime në nivel teknik javën e ardhshme”, tha Sharif.
Njoftimi i kryeministrit pakistanez erdhi pasi të premten Shtetet e Bashkuara dhe Irani sinjalizuan se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës mes tyre ishte afër.
Por, disa orë pas konfirmimeve, forcat amerikane rrëzuan disa dronë iranianë kamikaze që lëviznin drejt Ngushticës së Hormuzit. Një burim, në kushte anonimiteti, tha për Reuters se dronët përbënin kërcënim për trafikun tregtar. Më vonë, Komanda Qendrore e SHBA-ve konfirmoi veprimin dhe tha se rruga detare ishte e hapur për lundrim.
Burimet të Reuters thonë se memorandumi i propozuar i mirëkuptimit parashikon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane. Ndërsa negociatat mbi programin bërthamor të Iranit, arsyeja e deklaruar nga presidenti amerikan Donald Trump për nisjen e luftës, do të zhvilloheshin më pas.
Përshkrimet e draftit nga burime perëndimore, pakistaneze dhe iraniane tregonin kushte që mund të favorizonin Iranin, duke shkaktuar kritika ndaj Trump, i cili i hodhi poshtë raportimet si të pasakta.
Ministri i Jashtëm i Iranit Abbass Aragchi, tha të premten në televizionin shtetëror se Irani, së bashku me Omanin, do të ruanin kontrollin e trafikut nëpër Ngushticën e Hormuzit kur tha “Shpata jonë do të qëndrojë gjithmonë mbi Ngushticën e Hormuzit."
Ndërkohë sipas kushteve paraprake të përshkruara nga disa burime Reuters thotë se sipas marrëveshjes SHBA-jtë do të fillojë lirimin e miliarda dollarëve të aseteve iraniane të ngrira, do të hiqte sanksionet ndaj eksporteve të naftës në këmbim të rihapjes së Ngushticës së Hormuzit nga Irani.
Ndërsa, programi bërthamor iranian do të trajtohej gjatë një periudhe 60-ditore negociatash. Një zyrtar amerikan tha se marrëveshja do të çonte përfundimisht në çmontimin e programit bërthamor iranian, me shkatërrimin dhe largimin e rezervave të uraniumit të pasuruar në nivele të larta.
Sipas zyrtarit amerikan asnjë para nuk do të lirohet derisa Irani të përmbushë detyrimet duke thënë se marrëveshja është e bazuar në performancë.
Ndërkohë ceremonitë përkujtimore për Udhëheqësin Suprem Iranian, Ajatollah Ali Khamenei, i vrarë në një sulm izraelito-amerikan më 28 shkurt në Teheran, ditën e parë të luftës, do të mbahen midis 4 dhe 9 korrikut.
Sipas mediave të huaja, Komiteti për Përkujtimin e Vdekjes së tij njoftoi lajmin, duke specifikuar se ceremonitë e lamtumirës do të mbahen të shtunën, më 4 korrik dhe të dielën, më 5 korrik, në Xhaminë e Madhe të Teheranit (Xhamia Imam Khomeini).

Foto: Marco Rubio
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka kërkuar respektimin e bllokadës detare të vendit të tij ndaj anijeve që hyjnë dhe dalin nga portet iraniane, ndërsa Uashingtoni dhe Teherani janë pranë një marrëveshjeje që mund të nënshkruhet në orët në vijim.
Diplomati më i lartë i SHBA-së i bëri këto komente gjatë një telefonate dje me Ministrin e Jashtëm Indian, Subrahmanyam Jaishankar, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë sot.
"Të dy zyrtarët diskutuan zhvillimet e fundit në Ngushticën e Hormuzit. Sekretari theksoi se të gjitha anijet tregtare duhet të zbatojnë menjëherë urdhrat e forcave amerikane, të cilat kërkojnë të ruajnë paqen dhe sigurinë në Ngushticë", thuhet në deklaratë.
Rubio "theksoi se shkeljet e bllokadës amerikane dhe transporti i paligjshëm i naftës iraniane nuk do të tolerohen".
Memorandumi i mirëkuptimit i ndërmjetësuar nga Pakistani, i cili aktualisht po negociohet midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, nuk do të nënshkruhet nesër dhe aktualisht nuk trajton çështjen bërthamore.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Ismail Baghaei, e theksoi këtë, duke shpjeguar se objektivi i menjëhershëm i marrëveshjes është të konsolidojë fundin e konfliktit.
Duke folur në Hamedan, Baghaei, i cituar nga agjencia e lajmeve IRNA, deklaroi se dokumenti "nuk është një marrëveshje përfundimtare midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara", por një mirëkuptim që përcakton parimet e përgjithshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekzistuese dhe vendosjen e një ndërprerjeje të armiqësive.
"Duke pasur parasysh përvojën e mëparshme, në këtë fazë, fokusi është në përfundimin e luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, dhe është vendosur të mos diskutohet çështja bërthamore", deklaroi zëdhënësi, duke konfirmuar se çështja bërthamore do të trajtohet brenda 60 ditëve të ardhshme.
Baghaei kujtoi se procesi i negociatave, i cili filloi rreth dy muaj më parë me ndërmjetësimin pakistanez dhe vazhdoi pas armëpushimit të 10 prillit, ka hasur vështirësi të shumta për shkak të "qëndrimeve kontradiktore" të marra, sipas tij, nga administrata amerikane.
Ndër çështjet e trajtuara tashmë në bisedime janë siguria e anijeve tregtare iraniane dhe çështjet që lidhen me Ngushticën e Hormuzit. Lidhur me kohën e nënshkrimit, Baghaei shpjegoi se ende nuk është caktuar një datë. "Edhe nëse nuk ndodh nesër, nuk mund të përjashtohet që të ndodhë në ditët në vijim", përfundoi ai.
Në përvjetorin e parë të të ashtuquajturës Luftë 12-ditore midis Iranit dhe Izraelit, Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, përkujtoi konfliktin në një mesazh të postuar në mediat sociale, duke akuzuar Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara për kryerjen e "sulmeve kriminale" kundër Republikës Islamike.
"Ka kaluar një vit që nga fillimi i raundit të parë të sulmeve kriminale nga regjimet izraelite dhe amerikane kundër shtëpisë sonë të përjetshme, Iranit", shkroi Ghalibaf, duke pretenduar se "fëmijë të pafajshëm" u vranë gjatë konfliktit dhe duke denoncuar se armiqtë e Iranit "nuk janë përmbajtur nga asnjë krim apo mizori".
Në mesazh, kryetari i Mexhlisit dhe kryenegociatori i Iranit gjithashtu i bënë homazhe viktimave të Luftës 12-ditore, duke deklaruar se iranianët do të vazhdojnë të rezistojnë "në imitim të martirëve heroikë dhe të shtypur" të konfliktit. "Ne rezistojmë deri në frymën tonë të fundit për lavdinë dhe fitoren përfundimtare të Iranit të dashur", përfundoi ai.
Ceremonitë përkujtimore për Udhëheqësin Suprem Iranian, Ajatollah Ali Khamenei, i vrarë në një sulm izraelito-amerikan më 28 shkurt në Teheran, ditën e parë të luftës, do të mbahen midis 4 dhe 9 korrikut.
Sipas mediave të huaja, Komiteti për Përkujtimin e Vdekjes së tij njoftoi lajmin, duke specifikuar se ceremonitë e lamtumirës do të mbahen të shtunën, më 4 korrik dhe të dielën, më 5 korrik, në Xhaminë e Madhe të Teheranit (Xhamia Imam Khomeini).
Ceremonia e varrimit është planifikuar për të hënën, më 6 korrik, në kryeqytetin iranian, ndërsa një procesion i dytë do të mbahet në Qom, një qytet i shenjtë për shiitët, të martën, më 7 korrik. Ceremonia përfundimtare është planifikuar për të enjten, më 9 korrik, në Mashad, vendlindjen e Khameneit në verilindje. Atje, arkivoli i tij do të çohet drejt Mauzoleumit të Imam Rezait, një nga vendet më të shenjta në Islamin shiit. Varrimi do të bëhet atje.
Së bashku me Udhëheqësin Suprem, do të përkujtohen dhe varrosen disa anëtarë të familjes që vdiqën me të: dhëndri i tij Misbah al-Huda Bagheri Kani, vajza e tij Bushra Hosseini Khamenei, Zahra Haddad Adel dhe Zahra Mohammadi Golpayegani.
Deklarata përkujton Khamenein si "udhëheqësin e urtë të Revolucionit Islamik" dhe "një simbol të frontit të së vërtetës dhe rezistencës". Autoritetet kanë ftuar popullin iranian, myslimanët dhe mbështetësit e Republikës Islamike të marrin pjesë masivisht në ceremonitë që do të shënojnë lamtumirën e fundit të Udhëheqësit të ndjerë.
Komente






