SHBA, do të mbështesin COVAX, këto janë deklaratat e fundit nga Shtëpia e Bardhë, në përpjekje për të siguruar sa më parë të jetë e mundur vaksinën kundër COVID-19 edhe për vende me të ardhura të mesme dhe të ulëta.
Deklaratat janë dhënë nga një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. Presidenti i SHBA Joe Biden do të premtojë 4 miliardë dollarë për nismën COVAX për të rritur shpërndarjen e vaksinave dhe gjysma e parave do të jepet "deri në fund të këtij muaji" dhe pjesa tjetër gjatë dy viteve të ardhshme, ka theksuar zyrtari.
COVAX është një projekt global për blerjen dhe shpërndarjen vaksinave për së paku 20 për qind të popullatës së rrezikuar në secilin vend. Plani është hartuar për t’iu mundësuar vendeve të varfra të arrijnë hapin në vaksinim, përballë vendeve të pasura. Premtimi do të bëhet gjatë takimit të G7 dhe Biden do të inkurajojë anëtarët e tjerë të grupit të bëjnë premtimet e tyre për të përmirësuar mundësinë e vaksinave në të gjithë botën. Mbetet për t'u parë se si anëtarët e tjerë të G7 do t'i përgjigjen thirrjeve të Biden, pasi SHBA fillimisht nuk pranuan të marrin pjesë në programin COVAX nën administratën e Donald Trump.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson tha se ai dëshironte të merrte parasysh ndryshimin në udhëheqjen e SHBA-së dhe të vendoste tre pika në krye të axhendës së G7: shëndetësinë, ndryshimin e klimës dhe ringritjen ekonomike nga pandemia. Ai tha se do të ndajë vaksinat e tepërta me kombet më të varfra, do të inkurajojë kombet e tjera të G7 të bëjnë të njëjtën gjë dhe do të bëjë thirrje për ndihmë për të zhvilluar vaksinat më shpejt.
Presidenti francez Emmanuel Macron i tha Financial Times të Enjten se SHBA dhe kombet e tjera Evropiane duhet të shpërndajnë deri në 5% të furnizimeve të tyre aktuale të vaksinave në vendet në zhvillim.
Programi COVAX, i cili është krijuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), tashmë ka humbur qëllimin e tij për shpërndarjen e vaksinimeve në vendet e varfra në të njëjtën kohë kur vaksinimet filluan në vendet e pasura. OBSH thotë se COVAX ka nevojë për 5 miliardë dollarë këtë vit në misionin e saj për të shpërndarë vaksinat për të paktën 20% më të prekshme në vendet e varfra.