Një zjarrvënie ndaj katër ambulancave që i përkasin një shërbimi ambulancë hebre në veri të Londrës po trajtohet si një “krim antisemitik urrejtjeje”, thotë Policia Metropolitane.

Katër ambulanca të Hatzolas u përfshinë nga flakët. Zjarrfikësit thanë se disa cilindra në automjete shpërthyen dhe shkaktuan thyerjen e dritareve në një bllok apartamentesh pranë.

Gjashtë automjete zjarrfikëse dhe rreth 40 zjarrfikës u dërguan për të vënë flakët nën kontroll. Shtëpitë pranë u evakuuan si masë paraprake, dhe rreth 30 persona u dërguan në një strehë lokale. Policia tha se nuk ka pasur të lënduar dhe të gjitha zjarret janë shuar. Deri më tani nuk ka të arrestuar.

Kryeministri Keir Starmer e ka quajtur incidentin një “zjarrvënie antisemitike thellësisht tronditës”.

“Mendimet e mia janë me komunitetin hebre që po zgjohen këtë mëngjes me këto lajme të tmerrshme. Antisemitizmi nuk ka vend në shoqërinë tonë. Kushdo që ka ndonjë informacion duhet të paraqitet tek policia”, shkroi ai në X.

Hatzola është një organizatë e madhe jofitimprurëse dhe vullnetare hebreje që ofron shërbime emergjence dhe transport falas drejt spitaleve.

Shërbimi thotë në faqen zyrtare se përgjigjet për mijëra emergjenca çdo vit, “nga lëndime të vogla deri te gjendje kërcënuese për jetën”, duke bashkëpunuar me spitalet e zonës.