Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbajnë më 3 nëntor zgjedhjet e mesit të mandatit, një votim që do të përcaktojë se kush do ta kontrollojë Kongresin amerikan gjatë dy viteve të ardhshme. Në qendër të vëmendjes është presidenti Donald Trump, ndërsa demokratët synojnë t'u marrin republikanëve shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat.
Amerikanët do të zgjedhin të gjithë 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve, 35 nga 100 senatorët dhe guvernatorët e 36 shteteve.
Zgjedhjet zhvillohen në mes të mandatit presidencial dhe sipas AP konsiderohen një provë për mbështetjen që gëzon presidenti në mesin e votuesve.
Pwr çfarë votohet më 3 nëntor?
Në Dhomën e Përfaqësuesve do të votohen të gjitha 435 vendet, pasi anëtarët e saj zgjidhen çdo dy vjet.
Ndërkohë, në Senat do të votohen 35 vende. Prej tyre, 33 janë pjesë e procesit të zakonshëm zgjedhor, ndërsa dy të tjera janë zgjedhje të veçanta në Ohio dhe Florida, pas largimit të JD Vance për të marrë detyrën e nënpresidentit dhe Marco Rubios për t'u bërë ministër.
Në 36 shtete amerikane qytetarët do të zgjedhin gjithashtu guvernatorët e rinj.
Kongresi që do të dalë nga këto zgjedhje pritet të mblidhet në janar të vitit 2027.
Historikisht, partia që kontrollon Shtëpinë e Bardhë ka prirje të humbasë vende në zgjedhjet e mesit të mandatit. Kjo ndodhi edhe në vitin 2018, gjatë mandatit të parë të Trumpit, kur republikanët humbën rreth 40 vende në Dhomën e Përfaqësuesve.
Kush kryeson dhe çfarë tregojnë sondazhet?
Republikanët kontrollojnë aktualisht Senatin me 53 vende dhe Dhomën e Përfaqësuesve me 218 vende.
Demokratëve u duhen katër vende shtesë në Senat dhe tri në Dhomën e Përfaqësuesve për të marrë shumicën.
Analisti amerikan i zgjedhjeve Nate Silver u ka dhënë demokratëve 79% mundësi për të fituar kontrollin e Senatit, ndërsa i ka vlerësuar si favoritë të qartë edhe për Dhomën e Përfaqësuesve.
Sipas tij, këto vlerësime janë disi më të larta se parashikimet që qarkullojnë në tregjet e basteve.
Ndërkohë, sondazhet e CNN tregojnë se demokratët janë përpara në Michigan dhe madje edhe në Teksas, ndërsa garat në Maine dhe Kansas mbeten të hapura.
Interesi për zgjedhjet është shfaqur edhe në votimin e parakohshëm. Mbi 40 milionë amerikanë kanë hedhur tashmë votën e tyre, përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve.
Çfarë do të thotë rezultati për Trumpin dhe Evropën?
Nëse demokratët marrin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ata do të kenë mundësi të bllokojnë projektligje, të nisin hetime ndaj administratës Trump dhe të negociojnë për buxhetin federal.
Nëse marrin edhe Senatin, demokratët do të kenë një rol më të madh në procesin e miratimit të emërimeve të propozuara nga presidenti.
Megjithatë, sipas një analize të publikuar në The Conversation, Trump do të vazhdojë të ketë në dispozicion veton presidenciale dhe dekretet ekzekutive.
Rezultati i zgjedhjeve mund të ketë ndikim edhe në marrëdhëniet me Evropën, veçanërisht për çështjen e Ukrainës.
Çdo paketë e re ndihme për Kievin do të kërkonte miratimin e Senatit dhe të presidentit amerikan.
Së fundmi, Trump ka pezulluar sanksione të reja ndaj Rusisë dhe ka arritur një marrëveshje për importin e naftës diesel ruse, veprime që kanë shkaktuar kritika nga të dyja partitë amerikane.
Një tjetër çështje është politika e jashtme. Sipas analizës së The Conversation, një president që përballet me kufizime në politikën e brendshme mund ta përqendrojë më shumë vëmendjen te marrëdhëniet ndërkombëtare, siç ndodhi me George W. Bush pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e vitit 2006.
Edhe lufta me Iranin është bërë pjesë e fushatës zgjedhore. Në Iowa, kandidatja republikane Ashley Hinson ka kërkuar një “fund të menjëhershëm” të saj.
Kur dalin rezultatet? Ja oraret sipas Shqipërisë
Për shkak të diferencës kohore, rezultatet e para të zgjedhjeve amerikane pritet të mbërrijnë gjatë natës mes 3 dhe 4 nëntorit, sipas orës së Shqipërisë dhe Kosovës.
SHBA kalon në orën dimërore më 1 nëntor, duke bërë që bregu lindor amerikan të jetë gjashtë orë pas Shqipërisë.
Vendvotimet do të mbyllen sipas këtij orari:
00:00, më 4 nëntor: Mbyllen vendvotimet e para në disa pjesë të Indianës dhe Kentuckyt.
01:00–01:30: Përfundon votimi në Georgia, Virginia, Karolinën e Veriut dhe Ohio.
02:00: Mbyllen vendvotimet në Pensilvani, Maine, Michigan dhe pjesën më të madhe të Teksasit.
05:00: Mbyllet votimi në Kaliforni.
06:00: Përfundon votimi në pjesën më të madhe të Alaskës.
Numërimi i votave të dërguara me postë mund të zgjasë më shumë, ndërsa në shtete si Maine dhe Alaska përdoret sistemi ku votuesit i rendisin kandidatët sipas preferencës.
Kjo mund ta shtyjë shpalljen e rezultateve për disa ditë.
Për këtë arsye, edhe mëngjesin e 4 nëntorit mund të mos jetë ende e qartë nëse republikanët do ta ruajnë kontrollin e Kongresit apo demokratët do të arrijnë të marrin shumicën.

Një rekord prej mbi 7,4 milionë personash kanë votuar para kohe në Teksas, përpara zgjedhjeve të mesmandatit që do të mbahen më 3 nëntor në SHBA. Sipas të dhënave paraprake nga Zyra e Sekretarit të Shtetit, deri më 30 tetor kishin votuar 7.410.631 persona, ose 38,92% e rreth 19 milionë votuesve të regjistruar.
Siç raporton “Texas Tribune”, kjo është pjesëmarrja më e lartë e regjistruar ndonjëherë në votimin e parakohshëm për zgjedhjet e mesmandatit në këtë shtet, duke tejkaluar vitin 2022, kur votuan rreth 5,5 milionë persona, dhe vitin 2018, kur shifra ishte nën 4,9 milionë. Pjesëmarrja më e lartë është regjistruar në zonat e mëdha urbane, përfshirë Houston, Dallas dhe Fort Worth.






Komente
Komento