SHBA/ Ekspertët: Trump nuk kishte autoritetin për të deklasifikuar dokumentin sekret për armët bërthamore

SHBA/ Ekspertët: Trump nuk kishte autoritetin për të deklasifikuar dokumentin sekret për armët bërthamore

Nga inventari i dokumentave të konfiskuara

UASHINGTON – Edhe gjatë kohës që ishte president, Donald Trump nuk kishte autoritetin ligjor për të deklasifikuar një dokument për armët bërthamore të Shteteve të Bashkuara, për mbajtjen e paligjshme të të cilit, ndaj tij tashmë janë ngritur akuza penale. Ky është mendimi i ekspertëve, që kundërshtojnë në këtë mënyrë deklaratat e ish-presidentit.

Dokumenti sekret, i radhitur i nëntëmbëdhjeti në listën e akuzave ndaj zotit Trump për vendosjen në rrezik të sigurisë kombëtare, sipas Ligjit për Energjinë Bërthamore mund të deklasifikohet vetëm nëpërmjet një procesi ku duhet të jenë të përfshirë Departamenti i Energjisë dhe Departamenti i Mbrojtjes.

Për këtë arsye, thonë ekspertët, dokumenti bërthamor është unikal mes 31 dokumentave të radhitura në akuzë, pasi deklasifikimi i dokumentave të tjerë mund të bëhet me urdhër ekzekutiv.

“Pretendimi se ai (ish-Presidenti Trump) mund ta kishte deklasifikuar nuk vlen në rastin e informacionit për armët bërthamore, pasi nuk ishte klasifikuar me një urdhër ekzekutiv, por me ligj”, tha Steven Aftergood, ekspert për sekretet qeveritare në Federatën e Shkencëtarëve Bërthamorë.

Statusi i veçantë i informacionit që ka lidhje me fushën bërthamore dëmton më tej atë që ekspertët ligjorë e konsiderojnë një mbrojtje të dobët të përqëndruar tek deklasifikimi. Pa ofruar fakte, ish-Presidenti Trump ka pretenduar se i ka deklasifikuar dokumentat përpara se t’i nxirrte nga Shtëpia e Bardhë.

Duket se prokurorët do të argumentojnë se deklasifikimi nuk ka ndonjë peshë, pasi ish-Presidenti Trump është akuzuar sipas Ligjit për Spiunazhin, që ka përparësi mbi klasifikimin dhe që e parashikon si vepër penale mbajtjen e paautorizuar të “informacionit për mbrojtjen kombëtare”, një term i gjerë që përfshin sekretet që mund të ndihmonin armiqtë e vendit.

Dokumenti 19 ka shënimin “FRD” (Formerly Restricted Data – Të dhëna dikur të kufizuara), një klasifikim që u vendoset informacioneve sekrete që kanë lidhje me përdorimin e armëve bërthamore. Në akuzë thuhet se dokumenti nuk mban datë dhe se “ka të bëjë me arsenalin bërthamor të Shteteve të Bashkuara”.

Ish-Presidenti Trump, i cili u vetëdeklarua i pafajshëm të martën, ka thënë se deklasifikoi gjatë kohës që ishte ende në detyrë mbi 100 dokumenta të cilat i mori në banesën e tij në Florida, Mar-a-Lago, një qëndrim që është përsëritur nga disa ligjvënës republikanë dhe mbështetës të tjerë.

Por zoti Aftergood dhe ekspertë të tjerë thanë se Ligji për Energjinë Bërthamore i vitit 1954, sipas të cilit Departamenti i Energjisë mbikëqyr arsenalin bërthamor të Shteteve të Bashkuara, përcakton procesin e deklasifikimit të të dhënave për armët bërthamore, që janë ndër sekretet më të mëdha të qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

“Ligji është shumë i qartë. Nuk ka asgjë ku thuhet se presidenti mund ta marrë atë vendim”, tha një ish-zyrtar amerikan i sigurisë kombëtare me përvojë në sistemin e klasifikimit, i cili kërkoi mos t’i publikohet emri.

Informacioni më sekret për armët bërthamore klasifikohet si “RD” (Restricted Data / Të dhëna të kufizuara), dhe ka të bëjë me projektimin e mbushjeve bërthamore dhe me prodhimin e uraniumit dhe plutoniumit, sipas një udhëzuesi të Departamentit të Energjisë që shërben për të shpjeguar sistemin e klasifikimit.

Departamenti i Energjisë e ul klasifikimin nga RD në FRD për të dhënat e armëve bërthamore që ia dërgon Pentagonit, por materialet mbeten të klasifikuara, thonë ekspertët.

Materialet e klasifikuara FRD përmbajnë të dhëna për përmasat e arsenalit të Shteteve të Bashkuara, magazinimin dhe sigurinë e mbushjeve bërthamore, vendndodhjen apo fuqinë e tyre, thuhet në udhëzimin shpjegues.

Informacioni FRD mund të deklasifikohet vetëm nëpërmjet një procesi të përcaktuar në Ligjin për Energjinë Bërthamore, sipas të cilit sekretarët e energjisë dhe të mbrojtjes vendosin për heqjen e klasifikimit, thuhet në një material të Departamentit të Drejtësisë.

David Jonas, i cili shërbeu për 10 vite si këshilltar ligjor i Administratës Kombëtare për Sigurinë Bërthamore të Shteteve të Bashkuara, një entitet i Departamentit të Energjisë që mbikëqyr arsenalin bërthamor, tha se ish-Presidenti Trump kishte autoritetin kushtetues për të deklasifikuar të gjitha dokumentat e klasifikuara, bazuar në “teorinë e ekzekutivit të bashkuar”, e cila thotë se Kongresi nuk mund të kufizojë kontrollin e presidentit mbi degën ekzekutive.

“Presidenti është dega ekzekutive dhe kështu që ai mund të deklasifikojë gjithçka që është informacion bërthamor”, tha ai.

Ekspertë të tjerë e kundërshtojnë këtë pikëpamje.

Elizabeth Goitein, eksperte e legjislacionit për sigurinë kombëtare në Qendrën Brennan për Drejtësinë, tha se Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara i jep Kongresit autoritetin të kufizojë pushtetin presidencial për sa i përket pjesës më të madhe të çështjeve të sigurisë kombëtare dhe se “nuk asnjë dyshim se mund të miratojë legjislacion në këtë drejtim”.

Megjithëse presidenti mund të kërkojë deklasifikim të materialeve FRD, “i duhet të kalojë përmes Departamentit të Energjisë dhe Departamentit të Mbrojtjes. Dhe kjo kërkon një kohë shumë të gjatë”, tha Thomas Blanton, drejtor i Arkivit të Sigurisë Kombëtare.

Materialet FRD duhet të arkivohen në një hapësirë me masat e duhura të sigurisë, tha zoti Aftergood. “Vendosja në tualetin tuaj nuk i plotëson kushtet”, tha ai, duke iu referuar akuzave se zoti Trump i magazinoi dokumentat e klasifikuara në një tualet në Mar-a-Lago./VOA

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Mit’hat Havari: 1997 e organizoi dhe stimuloi Sali Berisha, s’kanë punë grekërit fare! Saliu si Enveri, donte pushtetin

Mit’hat Havari: 1997 e organizoi dhe stimuloi Sali Berisha, s’kanë punë grekërit fare! Saliu si Enveri, donte pushtetin