SHBA/ Gjykata refuzon të bllokojë hetimin zgjedhor të ish presidentit Trump në Xhorxhia

SHBA/ Gjykata refuzon të bllokojë hetimin zgjedhor të ish presidentit Trump në Xhorxhia

Donald Trump

Një gjykatës në shtetin jugor të Xhorxhias të SHBA-së refuzoi të hënën përpjekjet e ish-presidentit Donald Trump për të bllokuar një prokurore të ndjekë një padi kundër tij për përpjekjet për të përmbysur në mënyrë të paligjshme rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 në këtë shtet ndaj demokratit Joe Biden.

Trump kishte pohuar se Prokurorja e Qarkut Fulton, Fani Willis në Atlanta kishte mbikëqyrur një hetim që ishte "konfuz, me të meta dhe, nganjëherë, jokushtetues". Anëtari i Gjykatës së Lartë të Xhorxhias Robert McBurney vendosi se pretendimet e zotit Trump ishin "ose të pamjaftueshme ose spekulative ".

Gjykatësi tha: "Pretendimet janë të pamjaftueshme sepse, ndërsa të qënurit jobjektiv i një hetimi penal shumë të publikuar, ka të ngjarë të jetë një përvojë e padëshiruar dhe e pakëndshme, asnjë gjykatë nuk ka konstatuar ndonjëherë se ky status i vetëm ofron një bazë që gjykatat të ndërhyjnë me ose të ndalojnë hetimin”.

Gjykatësi McBurney tha se ish-presidenti mund të ngrejë sfida ligjore për hetimin e Xhorxhias nëse ai akuzohet dhe kur të caktohet një gjyqtar për çështjen.

“Të hamendësosh se si mund të duket situata përpara se të lidhen pikat hetimore, mund të jetë një lojë popullore për median dhe blogosferën”, shkroi gjyqtari, “por nuk është një rol i duhur për gjykatat dhe argumentimin ligjor zyrtar”.

Me një juri të madhe që po shqyrton çështjen, prokurorja Willis ka sinjalizuar se ajo së shpejti mund të padisë ish presidentin Trump dhe një mori ndihmësish të lidhur me përpjekjet e tij për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të Xhorxhias në vitin 2020. Ajo i tha një stacioni televiziv në Atlanta gjatë fundjavës, "Puna është kryer. Ne kemi punuar për dy vjet e gjysmë. Jemi gati të vazhdojmë me çështjen".

Ndërsa kërkoi të mbante pushtetin pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2020 ndaj zotit Biden, ish presidenti Trump i fokusoi sfidat e tij zgjedhore në disa shtete që ai humbi me rezultat të ngushtë, përfshi Xhorxhian. Në sistemin amerikan të zgjedhjes së presidentëve, fituesi nuk përcaktohet nga vota popullore kombëtare, por më tepër nga rezultate të veçanta në secilin prej 50 shteteve, me shtetet më të mëdha që kanë ndikim më të madh në numërimin e votave të Kolegjit Zgjedhor që përcakton fituesin kombëtar.

Në Xhorxhia, Trump në fillim të vitit 2021 telefonoi zyrtarët e zgjedhjeve shtetërore dhe u kërkoi atyre t'i "gjenin" 11,780 vota, një më shumë se diferenca e votave që kishte fituar zoti Biden, në mënyrë që të fitonte votën popullore të shtetit dhe 16 votat e tij në Kolegjin Zgjedhor.

Ish presidenti Trump tashmë po përballet me padi penale në dy raste të tjera. Ai ka thënë se pret gjithashtu të paditet në Xhorxhia, si edhe nga Prokurori I Posaçëm, Jack Smith.

Prokurori Smith i ka thënë zotit Trump është objektiv i hetimit të tij kombëtar për ndërhyrjet në zgjedhje dhe rolin e tij në nxitjen e trazirave të 6 janarit 2021 në Kapitol.

Pavarësisht nga çështjet ligjore në rritje, sondazhet tregojnë se votuesit republikanë në masë të madhe e favorizojnë atë për të marrë emërimin presidencial të partisë në vitin 2024.

Në një nga çështjet e tjera penale, të ngritura gjithashtu nga Prokurori Smith, zoti Trump akuzohet se ka mbajtur në mënyrë të paligjshme 32 dokumente shumë të klasifikuara të sigurisë kombëtare në pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida, në vend që t'i dorëzonte ato në Arkivin Kombëtar siç i kërkohej kur u largua nga detyra./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Gratë u pikasën nga banorët, përgjimet fundosën grupin e serave të kanabisit në Berat: 2 rrugë, 300 arka, i mbusha unë

Gratë u pikasën nga banorët, përgjimet fundosën grupin e serave të kanabisit në Berat: 2 rrugë, 300 arka, i mbusha unë