UASHINGTON, 17 dhjetor /ATSH-AFP/ - Demokratja Hillary Clinton kërkoi që të votohet një ligj në SHBA për të ndaluar kategorikisht përdorimin e torturës, një javë pas publikimit të një raporti të parlamentit mbi praktikat e marrjes në pyetje të CIA-s në vitet 2000.
"Sot ne mund të themi sërisht me zë të lartë se SHBA-ja nuk duhet të praktikojë kurrë torturën në asnjë pjesë të botës", deklaroi Hillary Clinton gjatë një fjalim në Nju Jork ku mori çmimin "Robert F. Kennedy" për të drejtat e njeriut.
"Kjo duhet të jetë krejtësisht e qartë nga aspekti politik dhe juridik, si dhe përsa i përket detyrimeve përballë traktateve ndërkombëtare, por nëse kjo kërkon një ligj të ri, atëherë Kongresi duhet të punojë bashkë me presidentin Obama për ta miratuar sa më shpejt dhe kjo nuk do të thotë që të hapë debate partizane", tha ajo sipas "New York Times" dhe "Politico".
"Është e mundur që të mbrohemi nga terrorizmi dhe të reduktojmë krimin dhe dhunën pa pasur nevojë të përdorim torturën jashtë vendit, apo burgime të tepruara", shtoi ajo.
Hillary Clinton, e cila po përgatit kandidaturën e saj për në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2016, deri tani nuk kishte komentuar publikisht raportin e komisionit mbi inteligjencën nga Senati amerikan për programin sekret të marrjes në pyetje nga CIA të përgjegjësve të Al Kaedas pas 11 Shtatorit.
Barack Obama e mbylli këtë program në vitin 2009./
/G.S/  a.jor.