SHBA, Hillary Clinton po humbet
terren përballë Donald Trump

SHBA, Hillary Clinton po humbet<br />terren përballë Donald Trump
Një anketim i ri në nivel kombëtar i publikuar sot, tregon se avantazhi i kandidates demokrate Hillary Clinton përkundër rivalit republikan Donald Trump është ngushtuar së tepërmi.

Sondazhi u krye përpara se FBI-ja të njoftonte se ka prova të reja për çështjen e serverit privat të email-it gjatë kohës që zonja Clinton ishte Sekretare e Shtetit.
 
Anketimi, i kryer nga ABC News / Washington Post, tregon një mbështetje prej 47% për zonjën Clinton dhe 45% për zotin Trump në radhët e votuesve të mundshëm. Kjo është një rënie dramatike krahasuar me anketimin e një jave më parë, sipas të cilit zonja Clinton udhëhiqte me 50% mbështetje, përballë 38% për zotin Trump.
 
Drejtori i FBI-së, James Comey, njoftoi dje se agjensia po shqyrton nëse gjendet informacion i klasifikuar në një paisje që i përkiste ish-ligjvënësit Anthony Weiner, i cili ka qenë bashkëshorti i Huma Abedin, ndihmëse e zonjës Clinton.
 
Rezultatet e anketimit të sotshëm, që e tregojnë zonjën Clinton me vetëm 2% avantazh, bazohen në intervista të kryera nga dita e hënë, 24 tetor, deri në ditën e enjte, 27 tetor, pra një ditë përpara se FBI-ja të shprehej për prova të reja.
 
Anketimi pararendës, që e tregonte zonjën Clinton me 12% avantazh, ishte kryer gjatë periudhës 20 – 23 tetor.
 
Gjatë periudhës ndërmjet dy anketimeve, vetë zoti Trump ka fituar 7% pikë më shumë, ndërsa zonja Clinton ka humbur 3%.
 
Evidentohet një entuziazëm më i lartë në radhët e republikanëve edhe përpara njoftimit të FBI-së. Anketimi i sotshëm tregon se 81% e republikanëve të regjistruar ka gjasa të votojnë, krahasuar me 75% të evidentuar gjatë një anketimi pararendës.
 
Anketimit të sotshëm i janë përgjigjur 1148 votues të mundshëm, dhe mundësia e gabimit është 3%. 

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin