SHBA - Një i ri nga SHBA ka hedhur në internet një video eksperimentale për të parë reagimin e njerëzve kur vihen përballë me një rast rrëmbimi fëmije. Në video mund të shihet një djalë i vogël, i quajtur Nathan, i cili i afrohet njerëzve të ndryshëm në rrugë duke u kërkuar ndihmë, pasi ka humbur prindërit dhe një burrë me xhaketë iu afrua dhe u mundua ta rrëmbejë.

Reagimet e njerëzve kanë qenë nga më të ndryshmet. Në momentin që rrëmbyesi afrohet duke u shtirur si babai i fëmijës, disa prej tyre ndërhyrjnë në mbrojtje të vogëlushit, por jo të gjithë. Një i ri me kapele, pasi dëgjon bisedën mes rrëmbyesit dhe djalit, afrohet për të kërkuar shpjegime.

Rrëmbyesi i thotë që po flet me djalin e tij, i cili duket mjaft i frikësuar, por pranon me ndrojtje se ai është i ati. Atëhere i riu largohet me një dyshim, por nuk telefonon as policinë për të verifikuar nëse burri po thoshte të vërtetën.

Megjithatë nuk mbaron këtu, pasi një tjetër person jo vetëm që beson versionin e rrëmbyesit, por i shtrëngon disa herë dhe dorën, para se të largohet.

Video e hedhur në internet ka dhe një mesazh sensibilizues në fund ku shkruhet se 30 sekonda trimëri mund të shpëtojnë vuajtjen e pafund të një familjeje. Kanë mjaftuar vetëm pak ditë që video të kalojë 500 mijë klikime në Youtube.


(v.gj/shqiptarja.com)