SHBA/ Joe Biden, konsultime me ekipin e sigurisë kombëtare lidhur me krizën mbi Ukrainën

SHBA/ Joe Biden, konsultime me ekipin e sigurisë kombëtare lidhur me krizën mbi Ukrainën

Pamje nga Voronezh, Rusi 2022

Presidenti amerikan Joe Biden do të diskutojë gjatë fundjavës me këshilltarët e sigurisë kombëtare për hapat e ardhshëm lidhur me krizën mbi Ukrainën, ndërsa një takim mes Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken dhe Ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov përfundoi pa marrëveshje. Kjo çështje vazhdon të jetë një nga më shqetësueset për Uashingtonin.

Presidenti Biden ka shkuar në Camp David, një vendpushim presidencial në shtetin e Merilendit ku do të kalojë fundjavën duke diskutuar me këshilltarët e sigurisë kombëtare, për të përcaktuar hapat e ardhshëm për krizën mbi Ukrainën.

Sekretarja e shtypit, Jen Psaki tha se Presidenti Joe Biden do të takohet me ekipin e tij të sigurisë kombëtare për të diskutuar se “cilat do të jenë hapat e ardhshëm të duhur”.

“Ne do të formulojmë me shkrim shqetësimet serioze që ne dhe aleatët dhe partnerët e tjerë kemi në lidhje me veprimet e Rusisë, si dhe idetë se si mund të forcojmë ndjenjën e sigurisë tek njëri-tjetri në të ardhmen. Ka disa hapa që mund të ndërmarrim të gjithë ne, përfshirë Rusinë që po diskutohen, për të rritur transparencën, për të ulur rrezikun, për të avancuar kontrollin e armëve, për të ndërtuar besimin”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpirsë së Bardhë, Jen Psaki.

Frika për një sulm të mundshëm rus ndaj Ukrainës është e madhe, ndërsa takimi prej 90 minutash mes Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken dhe Ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov përfundoi pa marrëveshje.

Si zoti Blinken dhe zoti Lavrov ranë dakord të vazhdojnë të bisedojnë. Sekretari Blinken i tha homologut të tij rus se SHBA-ja do t’i jepte Rusisë përgjigje me shkrim ndaj propozimeve të Moskës javën e ardhshme dhe sugjeroi që të dy do të takoheshin përsëri.

Pavarësisht kësaj, nuk ka asnjë infromacion se përgjigjet nga Uashingtoni do të ishin ndryshe nga refuzimet e qarta të shprehura tashmë nga aleatët e tij. Perëndimi tashmë ka hedhur poshtë kërkesën e Rusisë për të ofruar garanci se Ukraina nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO.

Henry Hale, profesor i shkencave politike në Universitetin “George Washington”, i tha Zërit të Amerikës se vendimi për sulmin ndaj Ukrainës është në dorë të një personi, presidentit rus Vladimir Putin.

“Problemi i madh është se ne nuk e dimë realisht se çfarë dëshiron zoti Putin. Natyra e sistemit politik të Rusisë është e tillë që edhe ministri i jashtëm i Rusisë mund të mos e dijë se çfarë është ajo që ai përfaqëson në të vërtetë.”

Të shtunën në Kiev ka mbërritur dërgesa e parë e ndihmave ushtarake amerikane, pjesë e një pakete mbështetjeje prej 200 milionë dollarë. Më shumë se 100 mijë trupa ruse janë grumbulluara në kufi me Ukrainën.

Rusia mohon të ketë plane për një ofensivë të re ushtarake, por ka thënë se mund të ndërmarrë veprime të papërcaktuara ushtarake nëse Perëndimi nuk bie dakord me kërkesat e saj.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë