SHBA-Kamala Harris ka pranuar një ftesë nga CNN për të marrë pjesë në një debat të dytë presidencial më 23 tetor, ka thënë ekipi i fushatës së saj.
Po ashtu me anë të një postimi në X Harris tha se e pranonte me kënqësi ftesën për debatin e ardhshëm me kandidatin republikan.
“Do të pranoj me kënaqësi një debat të dytë presidencial më 23 tetor. Shpresoj që Donald Trump do të bashkohet me mua”, shkruan Harris në X.
Javën e kaluar Trump tha se ai mund të marrte pjesë në një debat të tretë presidencial pas përballjes së tij të 10 shtatorit me Harris të organizuar nga ABC në Filadelfia.
"Ndoshta nëse do të isha në humorin e duhur," tha ai për gazetarët gjatë një ndalese në Kaliforni.
Kjo deklaratë e Trump vjen vetëm pak kohë pasi postoi në Truth Social, se nuk do të kishte një debat të tretë, me pretendimin se Harris e humbi në përballjen e tyre - edhe pse sondazhet treguan të kundërtën.
Foto: Donald Trump
Kandidati republikan Donald Trump, gjatë një tubimi në Wilmington, Karolina e Veriut, është shprehur se nuk do të marrë pjesë në një debat tjetër presidencial.
Duke iu përgjigjur ftesës së CNN dhe thirrjes së Harris, Trump tha se tashmë është ‘shumë vonë’.
"Është tepër vonë për një debat tjetër, sepse tashmë votimi ka filluar”, tha Trump.
Më tej ai shtoi se Harris dëshiron edhe një tjetër debat para zgjedhjeve me CNN, sepse po humbet keq”.
Megjithatë sondazhet kombëtare vazhdojnë të tregojnë se akoma nuk ka asnjë lider të qartë në garën mes Harris dhe Trump.