SHBA kërkon vazhdimin e inspektimeve të OKB-së në Iran

SHBA kërkon vazhdimin e inspektimeve të OKB-së në Iran

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe selia e OKB

Shtëpia e Bardhë do që inspektimet e Kombeve të Bashkuara në lokacionet bërthamore të Iranit të vazhdojnë, me gjithë tërheqjen e presidentit Donald Trump nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, që i ka autorizuar ato inspektime, thanë zyrtarët amerikanë.

Disa ditë pasi Trump u tërhoq nga marrëveshja dhe mandati për shqyrtimin rigoroz të objekteve iraniane, zyrtarë të lartë të administratës thanë se ai dëshiron që monitorimi të vazhdojë, ndërsa agjencisë bërthamore të OKB-së do t’i sigurojë para për të mbajtur ekipin e saj të inspektorëve në Iran.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin inspektimin e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore në Iran”, tha një zyrtar amerikan në këtë agjenci, raporton DPA.

E njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës për Veprim, marrëveshja midis Iranit dhe fuqive botërore ka detyruar Republikën Islamike të hapë çdo lokacion për inspektorët brenda 24 ditësh. Pakti gjithashtu ka krijuar 24 orë mbikëqyrje të largët në disa zona iraniane.

Por, Trump dhe bashkëpunëtorët e tij vazhdimisht kanë thënë se inspektimet e autorizuara me marrëveshje, nuk janë të mjaftueshme. Sipas tyre, vetë zyrtarët iranianë kanë thënë se inspektorët e OKB-së kurrë nuk do të lejohen të kenë qasje në vendet më të ndjeshme ushtarake.

“Amerikanët mund të ëndrrojnë të vizitojnë vendet tona të ndjeshme ushtarake. Nuk do të ndodhë kurrë”, ka thënë Ali Akbar Velayati, këshilltar i udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, në muajin shtator.

Trump përsëriti kërkesën e SHBA-së për inspektime më të ashpra.

“Duhet të jemi në gjendje të shkojmë dhe ta kontrollojmë atë vend. Duhet të jemi në gjendje të shkojmë në bazat e tij ushtarake për të parë nëse janë duke na mashtruar", tha Trump në një tubim në Indiana.

Me marrëveshjen e vitit 2015, Irani është dakorduar të frenojë aktivitetet e tij bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare. Megjithatë, Irani vazhdimisht ka thënë se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore, por Perëndimi ka shfaqur drojën se ai synon krijimin e bombës atomike.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, dhe udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Britanisë, Rusisë dhe Kinës – që të gjithë nënshkrues të marrëveshjes – kanë thënë se do të vazhdojnë ta respektojnë atë, pavarësisht se çfarë bën SHBA-ja.

Shtëpia e Bardhë po ashtu ka paralajmëruar Iranin për pasoja të paspecifikuara nëse ai rifillon aktivitetet bërthamore, të ndaluara me marrëveshje.

“Nëse regjimi vazhdon aspiratat e tij bërthamore, ai do të ketë probleme edhe më të mëdha se më parë”, ka thënë Trump më 9 maj.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka thënë se veprimi i SHBA-së tregon se asaj nuk mund t’i besohet dhe po ashtu ka vënë në pyetje besimin e aleatëve amerikanë në Evropë./REL

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Bashkëshortja e Netanyahut nën hetim, akuzohet se ka frikësuar kundërshtarët politikë në gjyqin për korrupsion të liderit izraelit

Bashkëshortja e Netanyahut nën hetim, akuzohet se ka frikësuar kundërshtarët politikë në gjyqin për korrupsion të liderit izraelit