Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka reaguar ashpër ndaj nismës për shkarkimin e tij, të ndërmarrë nga një kongresmen republikan për shkak të rolit të Pentagonit në luftën kundër Iranit. Gjatë një konference për shtyp në Pentagon këtë të martë, Hegseth e cilësoi përpjekjen për shkarkimin e tij si një farsë politike dhe një akt sabotimi ndaj forcave të armatosura amerikane.

“Ky nuk është patriotizëm. Ky është sabotim”, deklaroi Hegseth, duke argumentuar se një nismë e tillë u dërgon kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara mesazhin se Uashingtoni është i gatshëm të ndëshkojë drejtuesit e tij ushtarakë për operacionet që ata i konsiderojnë të ligjshme.

Ai përmendi edhe Kosovën kur tha se asnjë sekretar i Mbrojtjes nuk është shkarkuar ndonjëherë përmes procedurës impeachment.

“Në 250 vite të republikës amerikane, asnjë sekretar lufte apo sekretar i Mbrojtjes nuk është përballur me shkarkim për kryerjen e operacioneve ushtarake të ligjshme. Asnjëherë. As gjatë Reaganit në Liban as gjatë Clintonit në Kosovë as gjatë Obamës në Irak apo Siri apo administratës Biden” tha Hegseth.

Hegseth i hodhi poshtë akuzat, duke mbrojtur vendimet e marra gjatë drejtimit të Pentagonit.

“Unë qëndroj pas secilit prej këtyre operacioneve. Kam qenë krenar që i kam zbatuar dhe do t'i bëja sërish nesër”, deklaroi ai.

Reagimi erdhi një ditë pasi kongresmeni republikan Thomas Massie, nga Kentaki, paraqiti në Dhomën e Përfaqësuesve tetë akuza për nisjen e procedurës së shkarkimit të Hegseth.

Massie e akuzon kreun e Pentagonit për tejkalim të kompetencave dhe për zhvillimin e operacioneve ushtarake kundër Iranit pa miratimin e Kongresit, në kundërshtim me legjislacionin amerikan për kompetencat e luftës.