TIRANË - “Ju jeni Marjan Rroku, nga Shqipëria?” Personi përballë, që kishte hapur derën e apartamentit, u përgjigj me qetësi: “Jo, zotëri, keni gabuar person, unë jam Jeton Mirakaj, me shtetësi sllovene, urdhëroni dokumentet”. Kevin Konëlli, me detyrë “marshall federal”, misioni parësor i të cilëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është kapja e personave të kërkuar nga drejtësia, tregon atë çka ka ndodhur në pragun e shtëpisë, ku banonte ai që, në fakt, ishte me të vërtetë Marjan Rroku, i cili, që prej vitit 2001, kishte humbur gjurmët në Shqipëri, pasi kishte kryer një vrasje të dyfishtë. Rrëfimi i tij është bërë për gazetën amerikane “Riçmond Tajms Dispeç”.

Motra e viktimës
Sipas tij, kapja e një të shumëkërkuari nga Interpoli ishte suksesi më i madh, që kishte arritur në karrierën 22-vjeçare në trupat e marshallëve të SHBA. Për më tepër, e kishte ndjerë veten të lehtësuar edhe për një shkak tjetër, i deklaron ai më tej gazetës amerikane në 2005. Gjatë hetimeve, ai kishte takuar një qytetare shqiptare, me banim në SHBA, e cila quhej Ornela Canaj.