PRISHTINË, 22 Janar/ATSH/.- Ministrja për Dialogun e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, është inkurajuar sot për punën që është duke bërë në dialogun Kosovë-Serbi edhe nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Tracy Ann Jacobson.
Sipas KosovaPress, ministrja Tahiri dhe ambasadorja Jacobson kanë zhvilluar sot një takim, ku kanë biseduar për forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve si dhe përkrahjen amerikane për perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe avancimin e dialogut të Brukselit.
Në këtë aspekt, Tahiri mori mbështetjen e ambasadores Jacobson.
Në një njoftim për media të kësaj ministrie thuhet se ministrja Tahiri shprehu mirënjohjen për gjithë përkrahjen që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës në të gjitha fazat e rëndësishme të rrugëtimit për liri dhe pavarësi si dhe të shtetndërtimit demokratik të Kosovës.
Ministrja Tahiri siguroi se, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për forcimin e shtetit sipas standardeve euro-atlantike, duke theksuar rëndësinë e përkrahjes së vazhdueshme nga ana e SHBA-ve.
Duke folur për politikat e jashtme, ministrja Tahiri theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal, të cilën po e dëshmon edhe përmes qasjes konstruktive në dialogun e Brukselit, proces ky që i kontribuon paqes dhe sigurisë në rajon dhe duhet të ndihmojë në përshpejtimin e integrimit evropian për Kosovën./m.m/












