NJU JORK- Sytë e amerikanëve dhe të gjithë botës janë në Denver të Kolorados ku demokrati Barack Obama dhe republikani Mitt Romney do të përballen sot në debatin e parë televiziv për zgjedhjet presidenciale. Sfida 90 minutëshe është e para për këtë periudhë prag votimesh ndërsa pas saj do të zhvillohen edhe dy takime deri në ditën e zgjedhjeve.

 Duke ju referuar këtij momenti kandidati republikan Mitt Romney tha se pret një bashkëbisedim me qytetarët amerikanë. "Këto debate janë një mundësi për secilin prej nesh të përshkruajë rrugën që duhet të ndjekë përpara Amerika dhe atë që kemi zgjedhur. Qytetarët amerikanë janë atë që bëjnë zgjedhjen e tyre për Amerikën që duan", theksoi Romney. Obama preferoi që në një zyrë elektorale në Nevada të falenderojë vullnetarët e fushatës për mbështetjen që i kanë dhënë deri më tani. Presidenti në detyrë e ka vlerësuar oponentin e tij duke e cilësuar një debatues të mirë ndërsa insistoi se pret një përballje serioze.

Gjashtë javë përpara zgjedhjeve, Romney është nën presionin për ti shfrytëzuar këto debate që të fitojë pikët e munguara në sondazhet publike. Ai do duhet të punojë fort për të larguar nga vetja përceptimin publik pas publikimit të videos ku deklaronte se gjysma e amerikanëve janë viktima që jetojnë në kurriz të programeve sociale. Historiku i debateve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka treguar se shpesh më shumë ndikim ka gjuha e trupit dhe imazhi i kandidatëve se sa fjalët e tyre. Mbahet mend përballja e vitit 1960 mes John F.Kennedy dhe Richard Nixon e fituar nga i pari në mënyrë të dukshme. Në vitin 1992, Presidenti George H.W.Bush u shfaq duke parë orën çka shumë e interpretuan si padurim për tu larguar. Sondazhet e Quinnipac University sugjerojnë se votuesit presin që Obama ta fitojë debatin.
(dm/sg/shqiptarja.com)