Shtetet e Bashkuara të Amerikës sinjalizojnë nisjen e izolimit ndërkombëtar të Presidentit Ilir Meta, i cili i ka shpallur luftë reformës në drejtësi, investimit më të madh të SHBA-BE në Shqipëri gjatë tre dekadave të fundit. Pas shtatë mesazheve radhazi të Ambasadës Amerikane në Tiranë, në adresë të kundërshtarëve të deklaruar të reformës në drejtësi, kreu i shtetit mori të mërkurën dy mesazhe të qarta nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Së pari, drejtori për Evropën Qendrore e Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik, përjashtoi presidentin Ilir Meta nga axhenda e takimeve, në kuadër të një vizite në Tiranë. Zyrtari i lartë i DASH zhvilloi ditën e mërkurë takime me krerët e politikës shqiptare, ku në fokus ishte pikërisht reforma në drejtësi, reforma zgjedhore dhe kriza politike e imponuar nga opozita.

I shoqëruar nga e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së ShBA-së në Tiranë, znj. Leyla Moses-Ones, David Kostelancik zhvilloi takime me kryeministrin Edi Rama, kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi, kryetarin e opozitës Lulzim Bashën, kryetaren e LSI Monika Kryemadhin dhe kryetarin e grupit parlamentar socialist Taulant Balla, ndërsa shmangu presidentin Ilir Meta. Shmangia e Metës nga axhenda e takimeve u theksua më tej nga një drekë e zyrtarit të lartë amerikan me deputetët Rudina Hajdarin dhe Ralf Gjonin. Shqiptarja.com pyeti pranë Ambasadës Amerikane për mungesën e takimit të zyrtarit të DASH me Presidentin Meta.

Ambasada sqaroi se axhenda e takimit është përgatitur nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Shqiptarja.com pyeti edhe pranë Presidencës për këtë çështje, por nuk mori një përgjigje. Gjithsesi, zëdhënësi i Presidentit Tedi Blushi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, u përpoq të ironizonte media për shmangien e Metës nga zyrtari i lartë amerikan. “Të gjitha portalet që punojnë në të zezë paskan futur Presidentin në listën e zezë. Tani pritet që gruaja e Bilalit t'u japë dhe lajmin e heqjes së vizës. Ha ha ha! Fajin e ka ODIHR që nuk punon në të zezë por e ka gdhendur me të zeza në të bardhë”, shkroi ai.

Mesazhi i dytë
Drejtori për Evropën Qendrore e Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik, gjatë vizitës në Tiranë, artikuloi një mesazh të tërthorë në adresë të Ilir Metës. Gjatë takimit me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kostelancik u shpreh se SHBA-të do të vijojnë të mbështesin reformën në drejtësi, të cilën Ilir Meta e konsideron Ramaformë dhe komplot të Sorosit. “Institucionet e reja të sistemit do t’u shërbejnë qytetarëve sot e në të ardhmen dhe do të mundësojnë që shqiptarët të jetojnë në paqe e mirëqenie. Vetingu është mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështetet fort nga SHBA”, është shprehur Kostelancik.