Presidenti Nishani, në fjalën e tij kryesore theksoi se në kushtet e paprecedenta ku 35 mijë njerëz zhvendosen forcërisht çdo ditë nga shtëpitë e tyre, si rezultat i konflikteve apo persekutimit, është e domosdoshme një qasje kolektive nga komuniteti ndërkombëtar.
Më pas Presidenti shtoi se vlerat, përkujdesja për jetët njerëzore dhe detyrimi për të mbrojtur të pafajshmit duhet të mbizotërojnë përkundrejt politikave populiste dhe pikëpamjeve të ngushta nacionaliste. Kjo është një çështje që përfshin si dimensionin e sigurisë ashtu edhe atë humanitar. Ndaj dhe Qeveritë, ndajnë si barrën ashtu edhe përgjegjësinë për të përballuar flukset migratore dhe të refugjatëve që shikojmë sot.
Në fund të fjalës, Presidenti Nishanit theksoi se bashkëpunimi ndërkombëtar nënkupton lidership politik dhe menaxhim efikas të lëvizjeve të refugjatëve, veçanërisht në planin rajonal dhe bashkëpunimin me agjencitë e specializuara ndërkombëtare.
Fjala e plotë e Presidentit Bujar Nishani
“Zoti Zëvendës President i Komisionit Europian, Komisioner Timmermans,
Të nderuar pjesëmarrës,
Çështja e migracionit dhe refugjatëve nuk është e re për botën. Ajo ka bashkëshoqëruar gjithmonë luftrat po aq sa ka qenë paralajmërues i fuqishëm se statuskuotë politike nuk kanë qenë më të mundshme, duke i paraprirë kështu ndryshimeve të mëdha. Këto kohë, çështja e flukseve migratore dhe refugjatëve është rikthyer ndjeshëm në agjendat tona politikbërëse po aq sa ka ngërthyer energjitë dhe punën e përqendruar të organizatave lokale e ndërkombëtare.
Nga të dhënat që disponojmë rezulton se sot, një numër i paprecedentë prej 65-70 milionë njerëz në mbarë botën janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. 21 milionë janë refugjatë dhe më shumë se gjysma e të tyre janë nën moshën 18 vjeç. Në shtetet fqinje të drejtpërdrejta të Shqipërisë, vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2016, më shumë se 160 mijë njerëz kanë kaluar detin për në Greqi dhe 93 mijë në Itali, duke mos folur këtu për gjendjen edhe më të vështirë që po përballon Turqia. Këmbana e alarmit është duke rënë në vendet anëtare të Bashkimit Europian, por dhe në rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor për përballimin e kësaj sfide që ngërthen si dimensionin e sigurisë ashtu edhe atë humanitar.
Për pasojë, kjo çështje nuk mund të mos dominonte edhe agjendën tonë sot, pasi ka zënë vend gjerësisht si në kontekstin e BE-së, OSBE-së, NATO-s, etj. Për më tepër, kur rreth 35.000 njerëz zhvendosen me forcë çdo ditë si pasojë e konflikteve apo persekutimeve, është e domosdoshme që të ndërmerren vendime dhe veprime kolektive për të trajtuar si rrënjët e këtij problemi ashtu edhe pasojat që shkakton ai.
Konfliktet sjellin si pasojë shkatërrimin e qeverisjes dhe strukturës sociale, lejojnë grupet e dhunshme ekstremiste të shfrytëzojne pakënaqësitë e thella e të hershme për të fituar mbështetje, ndërsa pretendojnë zaptimin e territoreve dhe burimeve si dhe kontrollin e popullatave. Situata tejet kaotike në Siri dhe Irak, por edhe në Libi, janë prova më e gjallë e këtij fakti. Kjo është ajo që DAESH (por jo vetëm) ka bërë gjatë tre viteve të fundit me pasojat shkatërrimtare, për të cilat, të gjithë ne jemi të vetëdijshëm por nga të cilat edhe jemi seriozisht të rrezikuar.
Natyrisht, që përballimi i këtyre sfidave nuk është një detyrë e lehtë, dhe mbi të gjitha kërkon një qasje kolektive nga bashkësia ndërkombëtare. Kjo ka munguar prej vitesh në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në rastin e Sirisë. Ndaj gjej rastin, të përshëndes edhe angazhimin konkret së fundmi të SHBA dhe Rusisë për t’i dhënë fund armiqësive në Siri, rifillimin e bisedimeve midis palëve për të gjetur rrugën e zgjidhjes së konfliktit, si dhe për t’i dhënë përgjigjen e merituar veprimtarisë së Da’esh dhe Frontit Al Nusra në Siri.
Vlerat, kujdesi për jetën e njeriut dhe detyrimi për të mbrojtur të pafajshmit duhet të mbizotërojnë përkundër pikëpamjeve të ngushta nacionaliste dhe politikave populiste. Dimensioni humanitar nuk mund t’i mungojë debatit politik dhe as t’i shmanget përgjegjësive tona drejtuese.
Pa dashur t’i jap nota romantike këtij diskutimi, por me bindjen se përçon një mesazh të fuqishëm në kohën dhe përmasën e duhur, do të doja të ndaja me ju mesazhin që shqiptarja më e njohur në botë, Nënë Tereza, me përulësi shenjtoreje i dha botës: ndihma e pakushtëzuar e njerëzve në nevojë janë fidanët që do të krijojnë pyllin e paqes. Falë këtij përkushtimi dhe dashurie të mbinatyrshme kjo murgeshë e përunjur u “pagëzua” si Nënë Tereza e botës, dhe prej tri javësh kanonizuar në Vatikan nga Papa Françesku si Shën Tereza, e paqes dhe dashurisë. Bota sot ka nevojë të frymëzohet nga të tillë shembuj, për të mbjellë shpresë aty ku ka dëshpërim për të ardhmen kaq të pasigurtë e të rrezikuar.
Zonja dhe zotërinj,
Rajoni i Ballkanit është i vendosur në një pozicion ku pasojat e presionit të flukseve migratore në Jug mund të arrijnë shpejt Evropën Perëndimore e Veriore. Rreziku aktual për të cilin duhet të tregojmë shumë vëmendje, është ai i përdorimit të migracionit për qëllime terroriste. Në këtë llogore askush nuk qëndron i vetëm, dhe as mund ta shmangë me vetizolim.
Si vend që e ka eksperimentuar hidhur këtë qasje shkatërrimtare më herët, Shqipëria qëndron fort e palëkundur përkrah partnerëve të saj, modestisht, për një qasje të përbashkët kolektive. Në këtë kontekst, besoj se kemi ende shumë për të bërë si në forcimin e partneritetit strategjik me BE-në, ashtu edhe në solidarizimin më të madh ndaj njerëzve të prekur nga ky fenomen.
Atyre që kanë nevojë për mbrojtje duhet t’ju ofrohet një rrugë e sigurt dhe ligjore, duke shmangur rrezikun që vjen nga kontrabandistët dhe tregtarët e vdekjes. Ky është një angazhim për t’u bërë pjesë e një zgjidhjeje më të gjerë të bazuar në solidaritetin dhe kapacitetet, në gatishmërinë për të mbrojtur vlerat dhe parimet ndërkombëtare dhe ato të të drejtave të njeriut.
Disa ditë më parë, Shqipëria organizoi një konferencë ndërkombëtare të nivelit të lartë mbi sfidat e zyrave të Avokatit të Popullit, në lidhje me flukset migratore. Në Deklaratën e Tiranës, përcjellë tashmë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, synohet t’i hapet rrugë një qasjeje të re në kontekstin e flukseve migratore, atë të respektit dhe mbrojtjes të të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor, pavarësisht nga vendi i origjinës apo statusi individual.
Shqipëria është pjesë si e Konventës që lidhet me Statusin e Refugjatëve 1951, ashtu dhe e Protokollit që lidhet me Statusin e Refugjatëve të vitit 1967. Por nevoja për bashkëpunim ndërkombëtar shkon përtej faktit nëse jemi vend pritës, origjine apo tranzitimi. Qeveritë duhet të ndajnë si peshën ashtu edhe përgjegjësitë për përballimin e këtyre flukseve.
Bashkëpunimi ndërkombëtar kërkon: lidership politik dhe menaxhim efikas të lëvizjeve të refugjatëve, veçanërisht në nivel rajonal dhe ndër-rajonal. Bashkëpunimi ndërmjet pikave të kalimit kufitar të vendeve ndërkufitare, autoriteteve detare dhe atyre aeroportuale mbeten kyç për një transferim të sigurt të refugjatëve dhe minimizimin e rrezikut për të qenë kontigjent trafikimi, ushtrimi dhune apo shfrytëzimi. Ndarja e të dhënave dhe njoftimi në kohë i autoriteteve në vendet e tranzitimit dhe ato pritëse mbetet kyç për shpejtimin e procedurave të regjistrimit dhe lejeve të pranimit në vendin e destinacionit.
Për vendet e vogla, kryesisht ato të tranzitimit të refugjatëve është i nevojshëm një dokument tip bashkëpunimi i cili mund të parashikojë adresimin e çështjeve si mbrojtja, shmangia e trafikimit të tyre, rënia pre ndaj presionit të krimit ndërkombëtar, keqpërdorimi i kontigjentit më vulnerabël, etj.
Për krijimin e kushteve të nevojshme dhe adaptimin sa më parë të refugjatëve në komunitetet lokale kërkohet adresimi i menjëhershëm i situatës specifike, duke mbajtur parasysh parimet e humanizmit, dinjitetit sikurse parashikon ligji ndërkombëtar.
Përfshirja e organizatave ndërkombëtare si IOM, UNHCR dhe bashkëpunimi ndërmjet OJQ-ve në arranxhimet e përbashkëta për përballimin e krizave është shumë i rëndësishëm, por shtetet nga ana e tyre mbajnë përgjegjësinë kryesore.
Shtetet, veçanërisht ato më pak të përgatitura për pritjen e refugjatëve, duhet të përfitojnë nga ekspertiza e OKB-së, IOM dhe UNHCR për përballimin e këtyre krizave dhe vetë zyrat e këtyre organizatave në terren duhet të jenë më aktive ndaj strukturave të vendeve pritëse dhe të avancojnë proceset para se përballimi i fluksit të bëhet fakt, në mënyrë që masat përshtatëse të jenë marrë.
Gjithashtu, shtetet, veçanërisht ato pritëse të refugjatëve politikë, duhet të mbështeten me skema të mbrojtjes së refugjatëve politikë në mënyrë të përkohshme, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare. Ndër mjetet më kryesore ndërkombëtare janë marrëveshjet e ripranimit, veçanërisht për lëvizjet e parregullta.
Integrimi i refugjatëve në vendin e destinacionit mbetet sfidë kryesore si për Qeveritë, ashtu edhe për komunitetet lokale. Nevojat e refugjatëve duhet të trajtohen nga qendra programi humanitar të cilat duhet të jenë të financuara mirë dhe të ofrojnë programe trajnimi dhe edukimi. Problemi aktual mbetet edukimi i fëmijëve të refugjatëve. Në këtë kontekst, qendrat pritëse me ndihmën e organizatave ndërkombëtare, duhet të marrin masat që cikli i edukimit të brezit të ri të mos ndërpritet, në mënyrë që minimizohet dëmi në edukim. Po kështu punësimi afat-shkurtër do të mund të shmangë ekspozimin ndaj fenomeneve si trafikimi, shfrytëzimi nga rrjetet e prostitucionit etj.
Si kriza e refugjatëve ashtu dhe lufta e përbashkët kundër terrorizmit, dëshmojnë ndërvarësinë tonë, çka e bën të domosdoshëm bashkëpunimin e të gjithëve, në mënyrë të koordinuar dhe me politika të mirë përcaktuara.
Ne duhet të punojmë së bashku për zhvillimin e dialogut, për parandalimin e konflikteve, për të shmangur diskriminimin dhe gjuhën së urrejtjes, për të vendosur ura lidhjeje dhe bashkëpunimi, midis kulturave, feve dhe qytetërimeve të ndryshme. Në themel të të gjithë punës sonë duhet të jetë mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe sundimi i ligjit dhe i të drejtës ndërkombëtare.”
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com