Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, i shoqëruar nga zonjën e Parë, Odeta Nishani, në përfundim të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mori pjesë në veprimtarinë e veçantë me temë "Një shpëtim i mahnitshëm, një mbrëmje vlerësimi kushtuar Kodit të Nderit të Shqipërisë si dhe Mbrojtjes së Hebrenjve" të mbajtur në Sinagogën B'nai Jeshurun.
Në këtë veprimtari kushtuar mbrojtjes dhe shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët, sidomos nga ata myslimanë, u paraqit edhe projekti që do të nisë së shpejti për të evidentuar këtë shembull unik i titulluar në mënyrë shumë domethënëse "Unë jam mbrojtësi juaj", ishte i pranishëm edhe anëtari i Asamblesë së Nju-Jorkut, Mark Gjonaj.
Pasi u prit nga Rabini Rolando Matalon dhe takua me të pranishmit e shumtë, Kreu i Shtetit u takua me të pranishëm të shumtë dhe mbajti një fjalë përshëndetëse ku u shpreh se "Një mbrëmje kaq të veçantë, me këtë pjesëmarrje kaq të ndritur e të nderuar në zemër të Nju-Jorkut, qytetit dhe shtetit që ka njërën prej popullsive më të mëdha hebreje jashtë Shtetit të Izraelit, përbën një rast tepër të rrallë e domethënës. Aq më shumë që kjo veprimtari i përkushtohet Kodit të Nderit - Besës tradicionale të shqiptarëve si dhe mbrojtjes së hebrenjve gjatë Shoah-ut, dukuri e cila ishte e jashtëzakonshme për shekullin XX dhe që vazhdon të mbetet si një nga rastet pothuajse të pabesueshëm të historisë së njerëzimit gjatë periudhës së errët e të pashpirt të zbatimit të planit çnjerëzor të "zgjidhjes përfundimtare naziste".
Ndërsa i ftuar nga Rabini Rolando Matalon, Presidenti Nishani mori pjesë më pas në shërbimin fetar të shabatit ku përshëndeti dhe uroi të pranishmit e shumtë dhe ku pati mundësinë gjithashtu të njihej e të takohej edhe me familjen e një hebreje austriake, Fritzi weitzman, e shpëtuar nga shqiptarët gjatë Holokaustit në kohën e monarkisë në Shqipëri, duke qenë se i ati i saj shërbente në atë periudhë si fotograf zyrtar i Mbretit Zog./atsh/