Një 21 vjeçar është qëlluar për vdekje të dielën pasi kaloi perimetrin e sigurisë në rezidencën e Presidentit Donald Trump në Mar-a-Lago.

Sipas mediave të huaja, të cilat citojnë shërbimin sekret, bëhet e ditur se Tucker Austin Martin që u vra, u pa pranë portës veriore me një pushkë dhe një bidon me benzinë në dorë.

Mësohet po ashtu se 21-vjeçari ngriti pushkën në pozicion qitje, para se të qëllohej për vdekje.

Rick Bradshaw, sherifi i Qarkut Palm Beach, është i pari që ka folur lidhur me ngjarjen, duke përmbledhur të dhënat e hetimit.

"Në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm, oficerët e sigurisë zbuluan se një individ kishte hyrë në perimetrin e brendshëm të Mar-A-Lago", thotë ai.

"Një zëvendës dhe dy agjentë të Shërbimit Sekret shkuan në atë zonë për të hetuar. Ata u përballën me një mashkull të bardhë që mbante një bidon me benzinë dhe një pushkë”, vijoi ai më tej.

“Ai u urdhërua të hidhte ato dy pajisje që kishte me vete, kohë në të cilën ai uli bombolën e gazit dhe e ngriti pushkën në pozicion qitjeje. Në atë moment, zëvendësi dhe dy agjentët e Shërbimit Sekret qëlluan me armë dhe neutralizuan kërcënimin. Ai vdiq në vendngjarje", përfundoi ai.

Më pas gazetarëve iu tregua një imazh i armës.

Mësohet se Presidenti Donald Trump në momentin e incidentit ndodhej në Shtëpinë e Bardhë në Washington. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë konfirmoi incidentin duke thënë se personi i armatosur ishte një i çmendur që po përpiqej të futej në rezidencën e Trump. FBI ka marrë përsipër hetimin ndërsa mediat amerikane raportojnë se 21 vjeçari ishte shpallur i humbur nga familja pak ditë më parë. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:03
Përshkallëzohet dhuna politike në SHBA, kërcënimet ndaj Kongresit amerikan u rritën me 60% në vitin 2025

Pamje nga atentati ndaj Donald Trump në korrik të vitit 2024. 

Edhe pse motivi i incidentit në Mar-a-Lago mbetet ende i paqartë, ngjarja ndodh në një moment kur Shtetet e Bashkuara po përballen me një rritje të ndjeshme të dhunës politike.

Sipas Policisë së Kapitolit, kërcënimet ndaj anëtarëve të Kongresit u rritën me 60% gjatë vitit të shkuar. Klima e tensionuar është reflektuar edhe në incidente konkrete sigurie.

Vetëm javën e kaluar, një 18-vjeçar i armatosur me armë gjahu u arrestua pasi vrapoi drejt Kapitolit në Uashington.

Në vitin 2024, një atentat gjatë një mitingu elektoral në Pensilvani tronditi vendin, kur një plumb preku veshin e Donald Trump gjatë një tubimi në Butler.

Po atë vit, një tjetër incident ndodhi në Florida, ku një person u kap i fshehur në shkurre pranë një fushe golfi, i armatosur me pushkë gjysmë-automatike, ndërsa Trump ndodhej në terren.

Dhuna politike nuk ka kursyer as figura të tjera publike. Në vitin 2025, politikania demokrate Melissa Hortman u vra me armë zjarri bashkë me bashkëshortin e saj. Disa muaj më vonë, aktivisti konservator Charlie Kirk u ekzekutua në një atentat që tronditi opinionin publik.

Po ashtu, pati edhe një sulm me zjarrvënie në rezidencën zyrtare të guvernatorit demokrat të Pensilvanisë, Josh Shapiro.

Ngjarjet e fundit po shtojnë shqetësimin për sigurinë e figurave publike dhe për nivelin e polarizimit në politikën amerikane, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se kërcënimet janë bërë më të shpeshta dhe më të rrezikshme.

Ora 18:00
Tentoi të hynte me armë në rezidencën e Trump në Florida, zbulohet identiteti i 21 vjeçarit

Pamje nga rezidenca e Trump dhe Tucker Austin Martin, 21 vjeçari që ishte shpallur i humbur përpara se të vritej. 

Mediat amerikane kanë identifikuar personin e qëlluar për vdekje nga agjentët e sigurisë në rezidencën Mar-a-Lago si 21-vjeçarin Tucker Austin Martin.

Më herët, autoritetet kishin bërë të ditur se i riu, me origjinë nga Karolina e Veriut, ishte raportuar i zhdukur nga familja e tij disa ditë para incidentit.

Sipas Shërbimit Sekret, ai u qëllua pasi tentoi të hynte në mënyrë të paligjshme në perimetrin e sigurisë së kompleksit në Palm Beach.

Agjentët i kërkuan të hidhte armën e gjahut dhe një bidon me lëndë djegëse që mbante me vete. Por, sipas autoriteteve, 21-vjeçari ngriti armën në pozicion qitjeje, çka çoi në reagimin e menjëhershëm të forcave të sigurisë.

Ai u shpall i vdekur në vendngjarje. Hetimet për motivet dhe lëvizjet e tij para incidentit janë në vijim.

Ora 17:09
Shtëpia e Bardhë reagon për incidentin në Mar-a-Lago, Leavitt: Një i çmendur tentoi të hynte në rezidencën e Trump

Shtëpia e Bardhë ka reaguar për incidentin e mëngjesit në rezidencën e presidentit Donald Trump në Florida, ku forcat e sigurisë qëlluan për vdekje një person të armatosur.

“Në mes të natës, ndërsa shumica e amerikanëve ishin në gjumë, Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara veproi shpejt dhe me vendosmëri për të neutralizuar një person të çmendur, të armatosur me një armë dhe një bidon me lëndë djegëse, i cili hyri në shtëpinë e Presidentit Trump,” deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

 

 

Ora 16:03
U raportua i zhdukur, përfundoi i vrarë në Mar-a-Lago! Çfarë dihet për 21-vjeçarin që hyri me armë në rezidencën e Trump

Rezidenca e Trump në Mar a Lago 

Zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi, bëri të ditur se i dyshuari ishte 21 vjeç dhe me origjinë nga Karolina e Veriut. Sipas tij, familja e kishte raportuar të zhdukur disa ditë më parë.

Hetuesit besojnë se i riu ishte larguar nga Karolina e Veriut dhe kishte udhëtuar drejt jugut, përpara se të mbërrinte në Palm Beach. Gjatë rrugës, ai dyshohet se kishte siguruar një armë gjahu. Kutia e armës u gjet më vonë në automjetin e tij.

Sipas autoriteteve, ai kishte hyrë në perimetrin e Mar-a-Lago përmes portës veriore, duke kaluar në momentin kur një tjetër automjet po dilte nga kompleksi.

FBI-ja, e cila po drejton hetimin, vijon të analizojë provat për të kuptuar motivet dhe lëvizjet e të riut përpara incidentit fatal.

Ora 15:41
FBI merr në dorë hetimin për incidentin e armatosur në rezidencën e Donald Trump në Florida

Zyrat e FBI në Florida

Byroja Federale e Hetimit (FBI) ka marrë zyrtarisht drejtimin e hetimit për incidentin me armë zjarri të ndodhur gjatë natës në rezidencën Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida.

Gjatë një konference për shtyp, Brett Skiles, agjenti special përgjegjës për zyrën e FBI-së në Miami, u bëri thirrje banorëve të zonës të ndihmojnë hetimin duke dorëzuar çdo material që mund të kenë regjistruar kamerat e tyre të sigurisë.

“Nëse jetoni në zonën ku ndodhi ngjarja, ju lutemi kontrolloni kamerat e jashtme për mbrëmjen e djeshme dhe orët e para të mëngjesit. Nëse shihni diçka të dyshimtë apo jashtë normales, na kontaktoni,” deklaroi Skiles.

Ai u kërkoi qytetarëve të kontaktojnë drejtpërdrejt FBI-në ose zyrën e Sherifit të West Palm Beach.

Sipas autoriteteve, ekipi i specializuar i FBI-së për mbledhjen e provave (“evidence response team”) ndodhet në vendngjarje dhe po kryen analizat e nevojshme. Skiles theksoi se hetuesit do të vazhdojnë punën në terren “aq sa të jetë e nevojshme”.

Ora 15:34
Incidenti në Mar-a-Lago/ Ku ndodhej Presidenti Trump në momentin e ngjarjes?

Presidenti Trump në darkën vjetore me guvernatorët

Në momentin kur ndodhi incidenti me armë zjarri në rezidencën Mar-a-Lago në Florida, Presidenti Donald Trump nuk ndodhej në pronë.

Shërbimi Sekret konfirmoi se asnjë person nën mbrojtje nuk ishte prezent në kompleks në kohën e ngjarjes. Presidenti ndodhej në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Sipas autoriteteve, Trump kishte kaluar mbrëmjen e së shtunës në kryeqytet, ku së bashku me bashkëshorten Melania Trump organizoi darkën vjetore me guvernatorët amerikanë, një aktivitet tradicional me pjesëmarrje dypartiake.

Edhe zonja e parë ndodhej në Shtëpinë e Bardhë gjatë incidentit.

Rezidenca Mar-a-Lago, e cila shpesh shërben si vendqëndrim fundjave për presidentin, ishte nën mbikëqyrjen e zakonshme të Shërbimit Sekret, por pa praninë e ndonjë personi të mbrojtur në atë moment.