Një 20 vjeçar është qëlluar për vdekje pasi kaloi perimetrin e sigurisë në rezidencën e Presidentit Donald Trump në Mar-a-Lago.

Sipas mediave të huaja, të cilat citojnë shërbimin sekret, bëhet e ditur se personi që u vra, u pa pranë portës veriore me një pushkë dhe një bidon me benzinë në dorë.

Mësohet po ashtu se 20-vjeçari ngriti pushkën në pozicion qitje, para se të qëllohej për vdekje.

Rick Bradshaw, sherifi i Qarkut Palm Beach, është i pari që ka folur lidhur me ngjarjen, duke përmbledhur të dhënat e hetimit.

"Në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm, oficerët e sigurisë zbuluan se një individ kishte hyrë në perimetrin e brendshëm të Mar-A-Lago", thotë ai.

"Një zëvendës dhe dy agjentë të Shërbimit Sekret shkuan në atë zonë për të hetuar. Ata u përballën me një mashkull të bardhë që mbante një bidon me benzinë dhe një pushkë”, vijoi ai më tej.

“Ai u urdhërua të hidhte ato dy pajisje që kishte me vete, kohë në të cilën ai uli bombolën e gazit dhe e ngriti pushkën në pozicion qitjeje. Në atë moment, zëvendësi dhe dy agjentët e Shërbimit Sekret qëlluan me armë dhe neutralizuan kërcënimin. Ai vdiq në vendngjarje", përfundoi ai.

Më pas gazetarëve u tregohet një imazh i pushkës. Mësohet se Presidenti Donald Trump në momentin e incidentit ndodhej në Shtëpinë e Bardhë në Washington.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:03
U raportua i zhdukur, përfundoi i vrarë në Mar-a-Lago! Çfarë dihet për 20-vjeçarin që hyri me armë në rezidencën e Trump

Rezidenca e Trump në Mar a Lago 

Zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi, bëri të ditur se i dyshuari ishte rreth të 20-ave dhe me origjinë nga Karolina e Veriut. Sipas tij, familja e kishte raportuar të zhdukur disa ditë më parë.

Hetuesit besojnë se i riu ishte larguar nga Karolina e Veriut dhe kishte udhëtuar drejt jugut, përpara se të mbërrinte në Palm Beach. Gjatë rrugës, ai dyshohet se kishte siguruar një armë gjahu. Kutia e armës u gjet më vonë në automjetin e tij.

Sipas autoriteteve, ai kishte hyrë në perimetrin e Mar-a-Lago përmes portës veriore, duke kaluar në momentin kur një tjetër automjet po dilte nga kompleksi.

FBI-ja, e cila po drejton hetimin, vijon të analizojë provat për të kuptuar motivet dhe lëvizjet e të riut përpara incidentit fatal.

Ora 15:41
FBI merr në dorë hetimin për incidentin e armatosur në rezidencën e Donald Trump në Florida

Zyrat e FBI në Florida

Byroja Federale e Hetimit (FBI) ka marrë zyrtarisht drejtimin e hetimit për incidentin me armë zjarri të ndodhur gjatë natës në rezidencën Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida.

Gjatë një konference për shtyp, Brett Skiles, agjenti special përgjegjës për zyrën e FBI-së në Miami, u bëri thirrje banorëve të zonës të ndihmojnë hetimin duke dorëzuar çdo material që mund të kenë regjistruar kamerat e tyre të sigurisë.

“Nëse jetoni në zonën ku ndodhi ngjarja, ju lutemi kontrolloni kamerat e jashtme për mbrëmjen e djeshme dhe orët e para të mëngjesit. Nëse shihni diçka të dyshimtë apo jashtë normales, na kontaktoni,” deklaroi Skiles.

Ai u kërkoi qytetarëve të kontaktojnë drejtpërdrejt FBI-në ose zyrën e Sherifit të West Palm Beach.

Sipas autoriteteve, ekipi i specializuar i FBI-së për mbledhjen e provave (“evidence response team”) ndodhet në vendngjarje dhe po kryen analizat e nevojshme. Skiles theksoi se hetuesit do të vazhdojnë punën në terren “aq sa të jetë e nevojshme”.

Ora 15:34
Incidenti në Mar-a-Lago/ Ku ndodhej Presidenti Trump në momentin e ngjarjes?

Presidenti Trump në darkën vjetore me guvernatorët

Në momentin kur ndodhi incidenti me armë zjarri në rezidencën Mar-a-Lago në Florida, Presidenti Donald Trump nuk ndodhej në pronë.

Shërbimi Sekret konfirmoi se asnjë person nën mbrojtje nuk ishte prezent në kompleks në kohën e ngjarjes. Presidenti ndodhej në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Sipas autoriteteve, Trump kishte kaluar mbrëmjen e së shtunës në kryeqytet, ku së bashku me bashkëshorten Melania Trump organizoi darkën vjetore me guvernatorët amerikanë, një aktivitet tradicional me pjesëmarrje dypartiake.

Edhe zonja e parë ndodhej në Shtëpinë e Bardhë gjatë incidentit.

Rezidenca Mar-a-Lago, e cila shpesh shërben si vendqëndrim fundjave për presidentin, ishte nën mbikëqyrjen e zakonshme të Shërbimit Sekret, por pa praninë e ndonjë personi të mbrojtur në atë moment.