SHBA - Presidenti amerikan Barack Obama do të mbajë një fjalim gjatë ditës së premte për ndryshimet në programet e përgjimit të Agjensisë Kombëtare të Sigurisë. Qëllimi i Obamas është të rifitojë besimin e publikut lidhur me Inteligjencën Kombëtare.

Propozimet e tij vijnë vetëm pak orë pasi mediat britanike raportuan se SHBA ka mbledhur rreth 200 milionë mesazhe celulari në ditë në të gjithë globin.

Kjo është vetëm akuza e fundit që prej zbulimeve të të dhënave të Agjensisë nga ish-punonjësi i NSA, Edward Snowden, i cili është akuzuar për spiunazh në SHBA dhe që momentalisht gjendet në Rusi.

Fjalimi i Obamës nga Departamenti i Drejtësisë amerikane vjen pas ngritjes së një paneli prej 5 personash të Shtëpisë së Bardhë, të cilëve u është dhënë detyra për të rishikuar programet e përgjimeve elektronike të SHBA. Ndër propozimet e tyre është dhe krijimi i një pozicioni të avokatit publik në GJykatën e Përgjimeve të Inteligjencës së Huaj, ku gjykatësit kanë aprovuar programet e përgjimit në masë.

Përveç kësaj, Presidenti amerikan do të vendosë disa politika të mbrojtjes së privatësisë për të huajt. Ai pritet gjithashtu të përfshijë dhe rritjen e mbikqyrjes se si SHBA monitoron liderët e huaj dhe të limitojë kohën se për sa gjatë mund të ruhen disa të dhëna.


(v.gj/shqiptarja.com)