Selia qendrore e OKB-sëNJY JORK, 16 gusht /ATSH-AFP/ -OKB-ja miratoi sot një rezolutë që do të bllokojë avancimin e shpejtë të xhihadistëve në Irak ndërkohë që SHBA-ja ka vazhduar me sulmet ajrore kundër pozicioneve të Shtetit Islamik (SHI), që dyshohet se ka kryer sulme të tjera të përgjakshme kundrejt minoritetit jazidi në veri të vendit.

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit, e miratuar pak çaste para se kryeministri dalës Nouri al Maliki të pranonte të largohej nga pushteti, kërkon çarmatosjen dhe shpërbërjen e menjëhershme të Shtetit Islamik (SHI) si dhe të Frontit al Nosra në Siri si dhe të formacioneve të tjera të lidhura me al- Kaedën.

Bëhet fjalë për masën më konkrete dhe më të gjerë të marrë deri më sotë nga OKB-ja kundrejt përparimit të SHI-së.

Teksti është vendosur në kapitullin e VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara, që mundëson përdorjen e sanksioneve, madje edhe të forcës, por deri tani nuk është autorizuar asnjë operacion ushtarak.

Paralelisht, ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së, të mbledhur dje nën presionin e Francës, ranë dakort në Bruksel mbi dërgimin e armëve për forcat kurde që luftojnë SHI-në në veri të Irakut./ATSH/