Vetëm nga biznesi i vogël, kioskat e shkatërruara dhe dyqane të plaçkitura, sipërmarrje familjare, deri tani është konstatuar një dëm prej rreth 18 mln lekësh të reja (200 mijë). Nga konstatimet e Administratës Tatimore në terren dhe nëpërmjet portalit “Dëmi im”, rezultojnë rreth 90 subjekte të dëmtuara.
Ende nuk ka filluar një verifikim për dëmet e konsiderueshme të mbi 40 filialeve bankare apo edhe më shumë bankomateve apo bizneseve të tjera të mëdha.
Ndërkohë që dëmi parashikohet të jetë shumë i madh në pronën publike, dhe jo vetëm financiar por edhe në dokumentacion të rëndësishëm. Janë djegur kosha pa fund, shkulur pllaka, shkatërruar semaforë, stacione autobusë, kangjella ndarës të rrugëve, djegur stola e pemë etj.
Procesi i evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve vijon, ndaj shifrat janë paraprake dhe mund të ndryshojë në përfundim të verifikimeve. Janë 10 ekipe në terren nga administrata Tatimore që po kryen verifikime, përmes 10 ekipeve të posaçme, po ashtu edhe përmes raportimit tek “dëmi im” në E-albania.
Kjo dritare në portalin elektronik qeveritar u prezantua nga Kryeministri Rama vetëm në ditën e tretë të protestës. Rama tha se qeveria do tu vijë në ndihmë të gjithë bizneseve të vogla që janë dëmtuar gjatë këtyre ditëve nga protestat e dhunshme.
“Çdo biznes që është dëmtuar nga vala e dhunës së verbër ka një dritare ku do të mund të regjistrojë dëmin. Siç u thashë miqve të dëmtuar në këtë biznes të vogël, 10 grupe verifikimi nga Tatimet do të jenë në terren për të mbledhur të dhënat e dëmeve mbi biznesin e vogël në kryeqytet. Do t’i kthejmë gërmadhat e verbërisë në shembuj të forcës”, deklaronte kreu i qeverisë Rama.
Konkretisht, subjektet tregtare mund të deklarojnë online dëmet e shkaktuara në ambientet e tyre, duke plotësuar të dhënat e kërkuara. Bizneset duhet të ngarkojnë fotografi të dëmeve të shkaktuara, si dhe dokumente të tjera mbështetëse që mund të shërbejnë për të vërtetuar situatën e raportuar. Pas kontrollit të dokumentacionit, do të hartohet regjistri zyrtar për të përcaktuar masat e dëmshpërblimit.
-
Shisni nje vile te Belindes
Përgjigju






Komente
Komento