SHBA, regjistrohen votuesit, pica
e ëmbëlsira për të bindur të rinjtë

SHBA, regjistrohen votuesit, pica<br />e ëmbëlsira për të bindur të rinjtë
"Hej, je regjistruar për të votuar?" Është kjo pyetja që Sally Anderson, një nga vajzat e organizatës 'New Era Colorado' (Epoka e Re) bën tashmë prej disa orësh në kampusin e Universitetit të Kolorados, duke i ftuar të rinjtë të regjistrohen.

E marta ishte Dita Kombëtare e Regjistrimit të votuesve në SHBA, ku në të gjithë vendin, të rinj si Sally, dalin anembanë vendit për të bindur njerëzit, por kryesisht të rinjtë që të regjistrohen për të patur mundësinë që në 8 nëntor të bëjnë zgjedhjen e tyre jo vetëm për presidentin e ardhshëm të vendit.

Sepse atë ditë zgjedhësit amerikanë do të votojnë edhe për anëtarët e rinj të Kongresit, por edhe për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokalë. Por të rinjtë, siç thotë dhe Sally janë ata që janë më pak të interesuar për t'u regjistruar.

''Në fakt të rinjtë janë ata që thonë se nuk kanë kohë, janë duke nxituar për të shkuar në mësim, jeta e tyre është shumë e shpejtë. Ne u themi atyre se ky është një proces i lehtë për t'u realizuar dhe nuk ju merr më shumë se 1.5 minuta. Ne e dimë formën se si realizohet kjo gjë dhe mund t'i udhëzojmë ata si të regjistrohen'', tha Selly Anderson për gazetaren tonë Erjona Rusi. 

Duke qënë se shkalla e regjistrimit të votuesve në SHBA është ndër më të ulëtat në vendet e zhvilluara me 6 milion amerikanë që nuk mundën të shprehin të drejtën e tyre të votës 8 vite më parë, Dita Kombëtare e Regjistrimit të Votuesve është shndërruar në një proces tepër të rëndësishëm për zgjedhjet.

Ndaj dhe organizata të tilla si 'Epoka e Re' kanë gjetur mënyra aspak tradicionale por mjaft interesante për t'i tërhequr të rinjtë.

Pica, ëmbëlsira (karamele dhe sheqerka), por nuk mungojnë as prezervativët shoqëruar me pak argëtim për ta transformuar regjistrimin, i cili është shpesh herë një proces i bezdisshëm dhe i lodhshëm, në një moment argëtues. Dhe në fakt funksionon.



''Ne po përpiqemi që t’i përfshijmë sa më shumë të rinjtë në proceset demokratike. Kjo është arsyeja që ne kemi zgjedhur të shpërndajmë pica dhe ëmbëlsira për të tërhequr sa më shumë adoleshentë që t'i bashkohen procesit të votimit. Duam t’i bëjmë ata të ndihen se janë pjesë e rëndësishme e vendimarrjes'', tha një aktivist. 

Një tabelë ku renditen arsyet përse duhet të votosh qëndron pranë tendës në përpjekje për të bindur të rinjtë se vota e tyre ka vlerë për një sërë çështjesh të rëndësishme që nga rritja e pagës minimale e deri tek tek mjedisi.

Por për ata që nuk binden kollaj, ka dhe mënyra për t'i shtuar më shumë ngjyra këtij procesi e për ta bërë më argëtues, siç bën dhe Celsi, menaxherja e programeve të organizatës Epoka e Re në Denver. 

''Organizata jonë ka si qëllim ta bëjë demokracinë më argëtuese. Kemi muzikë dhe njërëz të veshur me kostume për të tërhequr të rinjtë dhe po përpiqemi të kalojmë një kohë të bukur'', u shpreh Celsi menaxherja e programeve të organizatës 'Epoka e Re' në Denver.

Të votuarit nuk është një detyrim ligjor për shtetasit amerikanë, por ata që duan të votojnë duhet të regjistrohen përpara zgjedhjeve.

Në shumë shtete, dita e fundit për t'u regjistruar është mes 10 dhe 20 tetorit dhe çdo shtet ka rregullat e veta për këtë proces, që jo pak herë është kritikuar si shumë burokratik dhe diskriminues veçanërisht kundër komunitetit afro-amerikan. Dhe këtë e pranon edhe Lizzy Stephan, drejtore ekzekutive e organizatës Epoka e Re Kolorado. 

''Ka shumë përpjekje në këtë vend për të penguar zgjedhësit e rinj, vecanarisht studentët që të votojnë dhe ka shumë dezinformim gjithashtu. Po përhapen fjalë gjithandej që të rinjtë nuk mund të votojnë dhe unë mendoj se ky është problemi më i madh pasi ata po dizinformohen. Ne do i ndihmojmë dhe do i udhëzojmë të rinjtë se si të votojnë. Njerëzit nuk janë të sigurte nëse janë të regjistruar për të votuar dhe për pasojë ata janë vërtetë të shqetësuar dhe mendojnë se cfarë do të ndodhë. Ne po punojmë shumë që tu japim atyre akses që të kenë të drejtë të votojnë. Ata janë vërtetë të shqetësuar sepse nuk duan të thyejnë asnjë ligj'', u shpreh  Lizzy Stephan, drejtore ekzekutive e organizatës Epoka e Re Kolorado. 

Është shumë interesante se si, ndryshe nga shumë vende që u japin mundësinë edhe të burgosurve që të votojnë, në SHBA të gjithë të dënuarit e humbasin automatikisht të drejtën e votës, edhe pasi e kanë kryer dënimin.

Kjo në fakt është një temë e nxehtë debate më shumë se kurrë në këto zgjedhje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa komuniteti i njerëzve me ngjyrë po bën përpjekje jashtëzakonisht të mëdha për t'i rikthyer të drejtën e votës mijëra qytetarëve.

Richard Fowler, drejtues i një programi radiofonik që mban emrin e tij dhe aktivist, babai I të cilit ka humbur gjithashtu të drejtën e votës, na shpjegon se ka një përpjekje për të limituar të drejtën e votës këtij komuniteti, dhe duket se përfituesi më I madh nga gjithë kjo janë republikanët.

''Ka një përpjekje për të limituar dhe frenuar pjesëmarrjën e afroamerikanëe dhe të rinjve në zgjedhje. Kjo ndodh pasi mendojnë se nëse limitohet pjesëmarrja e këtyre grupeve në votim mund të influencojnë edhe zgjedhjet. Mendoj se rrepublikanët mund të përfitojnë më shumë nga tentativa për të limituar pjesëmarrjen e të rinjve dhe afroamerikanëve në zgjedhje'', deklaroi Richard Fowler, drejtues I një programi radiofonik.

Mbi 2 mijë evente të ngjashme u mbajtën në mbarë vendin në Ditën Kombëtare të Regjistrimit të Votuesve ndërsa shumë personazhe të famshëm kanë publikuar edhe video-mesazhe të shkurtra duke I bërë thirrje amerikanëve që të regjistrohen, pavarësisht se cilin kandidat mbështesin.

Epoka e Re Kolorado është një organizatë jo politike e fokusuar në angazhimin, edukimin dhe trajnimin e brezit të ri të qytetarëve aktivë dhe liderëve të rinj në Kolorado.

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Lojërat Olimpike në Paris, OBSH: Të paktën 40 atletë me Covid

Lojërat Olimpike në Paris, OBSH: Të paktën 40 atletë me Covid