Shtetet e Bashkuara kanë goditur të martën objektiva në Iran, duke rikthyer përplasjen ushtarake mes dy vendeve pas rreth një muaji pa operacione ushtarake.

Ushtria amerikane tha se sulmet erdhën pasi Teherani tentoi të godiste anije tregtare dhe forca amerikane në Lindjen e Mesme. Sulmet e së martës, së bashku me ato të së dielës, i dhanë fund një muaji pa veprime ushtarake dhe rrezikojnë të rikthejnë në shkallë të plotë konfliktin që ka zgjatur prej më shumë se gjashtë muajsh.

Pas njoftimit të Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), presidenti Donald Trump paralajmëroi Iranin të mos kundërpërgjigjet.

"Nëse shteti i dështuar i Iranit hakmerret për këtë sulm plotësisht të justifikuar, do të goditet sërish, në një nivel shumë më të lartë dhe më të ashpër. Por ai nuk do të jetë sulmi më i madh, sepse ai është ende në pritje", shkroi Trump në rrjetet sociale.

Përgjigjja nga Teherani nuk vonoi. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Iranit deklaroi se do t'i japë SHBA-së "goditje dërrmuese dhe shkatërruese".

Sipas televizionit shtetëror iranian, sulmet amerikane goditën një fabrikë përpunimi peshku në ishullin Qeshm, në Ngushticën e Hormuzit, si dhe disa objektiva civile në provincën Hormozgan. Mes objekteve të goditura përmenden edhe një mol peshkimi dhe një kullë e Organizatës së Porteve dhe Çështjeve Detare në Sirik.

Ngushtica e Hormuzit mbetet pika më e nxehtë e përplasjes mes SHBA-së dhe Iranit. Përmes kësaj rruge detare kalon rreth 20% e naftës që tregtohet në botë, ndërsa Teherani e ka bllokuar praktikisht qarkullimin që nga nisja e konfliktit.