Mbrëmjen e së mërkurës, Shtetet e Bashkuara të Amerikën nisën valën e dytë të sulmeve ndaj Iranit, duke shënjestruar jugun e vendit dhe zonat pranë Ngushticës së Hormuzit.
Irani ka aktivizuar menjëherë sistemet e mbrojtjes dhe është shprehur se “agresori do të ndëshkohet ashpër.” Sulmet nuk kanë kursyer as Kuvajtin e Bahreinin duke piketuar bazat amerikane.
Donald Trump ka publikuar në Truth një seri imazhesh nga bombardimet e kryera nga Shtetet e Bashkuara.
“Kjo është një hakmarrje për bombardimin e anijeve nga Irani që ndodhi dje. Nëse kjo ndodh përsëri, situata do të përkeqësohet ndjeshëm!”, shkroi ai.
Ndërsa në bordin e Air Force One, përforcoi deklaratën se Irani është goditur rëndë dhe dëshiron marrëveshje, por “problemi është se nuk e di nëse do ta respektojë atë”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, sipas agjencisë së lajmeve IRNA, deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë shkelur kuadrin e Marrëveshjes së Islamabadit të nënshkruar nga të dy vendet, duke theksuar se Republika Islamike “do të mbrojë me vendosmëri” interesat e saj kombëtare dhe sovranitetin e saj.
Ai vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara kanë shkelur nenin 5 të Memorandumit të Mirëkuptimit, i cili thekson përgjegjësinë e Republikës Islamike për garantimin e kalimit të sigurt të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit.
Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara ka revokuar licencën e përgjithshme që autorizonte përkohësisht prodhimin, shitjen dhe dorëzimin e naftës iraniane.
Kjo ka nxitur reagime nga kryeparlamentari iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka deklaruar se tashmë SHBA-të do të përballen me pasojat.
“Amerika ende nuk e ka mësuar se arroganca dhe mungesa e besnikërisë nuk janë më pa kosto. Ta kemi të qartë: provoni, dhe do të paguani pasojat. Ngushtica e Hormuzit hapet vetëm përmes marrëveshjeve me Iranin, jo me kërcënimet amerikane”, tha kryenegociatori i Iranit.
Lajm në përditësim...

Sulmet e SHBA-së ndaj Iranit dhe ndërhyrja për të ridrejtuar trafikun detar përmes Ngushticës së Hormuzit po pengojnë rihapjen graduale të kalimit detar.
Kështu ka deklaruar Marina e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, duke paralajmëruar Uashingtonin se çdo ndërhyrje e mëtejshme amerikane do të provokonte një "përgjigje dërrmuese".
Sipas IRGC-së, kapaciteti i tranzitit përmes Hormuzit, nën mbikëqyrjen e Teheranit, është rikthyer në afërsisht 50% të niveleve të paraluftës në dy javët e fundit.
Irani i ka cilësuar sulmet ajrore të SHBA-së kundër urave hekurudhore një "krim flagrant lufte".
Ministria e Jashtme e Iranit tha se "dënon me fjalët më të ashpra" sulmet e SHBA-së, të cilat shënjestruan "disa vende në provincat bregdetare jugore", si dhe "dy ura në provincat lindore në linjën hekurudhore që të çon në qytetin e shenjtë të Mashhadit", ku Ajatollah Ali Khamenei do të varroset sot.
Këto sulme "padyshim përbëjnë një krim flagrant lufte", shtoi ministria, duke shprehur "vendosmërinë" e Iranit për të "mbrojtur integritetin territorial, sovranitetin dhe sigurinë kombëtare". Sulmet çuan në pezullimin e lëvizjes në linjën hekurudhore Teheran-Mashhad.
Ministria iraniane e Shëndetësisë, e cituar nga Al Jazeera, ka njoftuar se sulmet amerikane të dy ditëve të fundit kanë vrarë 14 persona dhe kanë plagosur 78 të tjerë.
Teherani, shkruan Al Jazeera, raporton shpërthime në disa qytete iraniane përgjatë Ngushticës së Hormuzit, duke përfshirë Bushehrin, Chabaharin, Bandar Abbasin dhe Sirikun.
Komanda Qendrore e SHBA-së ka njoftuar se forcat e armatosura amerikane goditën rreth 90 objektiva ushtarake në Iran, gjatë orëve të fundit.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Komanda Qendrore e SHBA-së deklaroi se sulmet synonin dobësimin e mëtejshëm të aftësisë së Teheranit, për të sulmuar anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
"Më 8 korrik, forcat e Komandës Qendrore të SHBA-së përfunduan një seri të mëtejshme sulmesh kundër Iranit, që synonin dobësimin e mëtejshëm të aftësisë së Teheranit për të sulmuar anijet tregtare dhe marinarët civilë të pafajshëm në Ngushticën e Hormuzit. Forcat amerikane goditën afërsisht 90 objektiva ushtarake iraniane, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore, infrastrukturën e mbikëqyrjes bregdetare, depot e raketave dhe dronëve, aftësitë detare dhe infrastrukturën e logjistikës ushtarake përgjatë bregdetit iranian. Sulmet e fundit vijnë pas ekzekutimit të suksesshëm të ofensivave në Iran natën e kaluar", shkroi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) në rrjetin social ‘X’.
Trafiku i anijeve në Ngushticën e Hormuzit është bllokuar pothuajse plotësisht, raporton Al Jazeera, duke cituar Bloomberg News.
Bllokimi është pasojë e drejtpërdrejtë e ditës së dytë radhazi të sulmeve amerikane ndaj Iranit.
Dje, vetëm 14 anije tregtare thuhet se kaluan nëpër Ngushticën e Hormuzit në të dyja drejtimet; numri më i ulët që nga marrëveshja SHBA-Iran e 16 qershorit.
Numri mesatar i anijeve që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit këto tre javë ka qenë 34 në ditë.
Trupa e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit ka deklaruar se sulmet amerikane shënjestruan urat në rrugët që të çojnë në Mashhad, qytetin ku ish-Udhëheqësi Suprem Khamenei do të varroset më vonë ditën e sotme.
Al Jazeera raporton se këto sulme shënjestruan "dy ura në provincat lindore që të çojnë në qytetin e shenjtë të Mashhadit".
Garda Revolucionare Islamike akuzon se sulmet amerikane kanë “errësuar” ceremoninë "historike" të funeralit.
Komente






