Një agjent i ICE, Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (Immigration and Customs Enforcement), ka qëlluar dhe vrarë një grua 37-vjeçare, bashkëshorten e një lideri të lëvizjes në mbrojtje të emigrantëve, gjatë një operacioni të gjerë kundër emigracionit në Minneapolis.

Sipas asaj që bëri të ditur një zëdhënëse e Departamentit të Sigurisë Kombëtare (Homeland Security), viktima dyshohet se kishte «përdorur makinën e saj si armë», duke tentuar të vriste agjentët federalë që po kryenin «një operacion të synuar» në zonën Powerhorn, një lagje modeste rezidenciale në jug të Minneapolisit, pak më shumë se një kilometër larg vendit ku në vitin 2020 afro-amerikani George Floyd u vra nga një polic.

Në një video të shpërndarë nga mediat lokale dhe që është bërë virale në rrjetet sociale, shihet agjenti i ICE që qëllon nga afër 37-vjeçaren përmes xhamit të makinës. Një agjent i maskuar i afrohet makinës të vendosur tërthorazi në rrugë, ndërsa një tjetër agjent i bërtet gruas që të «dalë nga makina e mallkuar», duke u përpjekur t’i hapë derën. Gruaja përpiqet ngadalë të bëjë marsh mbrapa për t’u larguar nga zona, por një tjetër agjent qëllon tre herë.

Dëshmitarja që ka filmuar skenën, Caitlin Callenson, ka treguar se po bënte një shëtitje kur pa një automjet të ICE të bllokuar në dëborë. Ajo që shihet në video duket se bie ndesh me versionin e Homeland Security, sipas të cilit agjenti ka qëlluar nga frika për jetën e tij dhe të kolegëve, duke hapur zjarr në vetëmbrojtje.

Edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara i qëndron versionit të vetëmbrojtjes. «E kam parë videon e asaj që ndodhi në Minneapolis. Është e tmerrshme për t’u parë, agjenti ka qëlluar në vetëmbrojtje», ka thënë Trump; ndërsa kryebashkiaku i Minneapolisit, Jacob Frey, e ka kritikuar ashpër të shtënën, duke e cilësuar si veprimin e «një agjenti që ka përdorur pushtetin e tij në mënyrë të pamatur, me rezultatin që një person ka vdekur, është vrarë».

Kryebashkiaku i Minneapolisit: “ICE po shkakton kaos”

Me mbi 2.000 agjentë të ICE të mobilizuar, Minneapolis është objektivi më i fundit i fushatës së administratës Trump kundër emigracionit të paligjshëm. «Agjentët e ICE po shkaktojnë kaos», ka deklaruar kryebashkiaku Jacob Frey, i cili në profilet e tij në rrjetet sociale u ka kërkuar forcave federale të largohen menjëherë nga qyteti.

Mes pjesëmarrësve në operacionin që çoi në vdekjen e 37-vjeçares ishte edhe Gregory Bovino, një zyrtar i lartë i U.S. Customs and Border Patrol, i njohur si fytyra e operacioneve të represionit kundër emigrantëve në Los Angeles, Çikago dhe qytete të tjera.

Të shtënat shënojnë një përshkallëzim dramatik në serinë e fundit të operacioneve të kontrollit të emigracionit të zhvilluara në qytetet kryesore amerikane. Minneapolis dhe qyteti binjak St. Paul janë në gjendje alarmi që nga momenti kur Departamenti i Sigurisë Kombëtare njoftoi dje nisjen e operacionit, i lidhur pjesërisht me akuza për mashtrim që përfshijnë banorë me origjinë somaleze, çka e ka shtyrë guvernatorin Tim Walz (ish-kandidat për zëvendëspresident me Kamala Harris) të mos rikandidojë për një mandat të ri.

Ministrja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, ka mbrojtur agjentët e ICE të përfshirë në vrasjen e një shtetaseje amerikane sot në Minneapolis. «Ishte një akt terrorizmi të brendshëm», ka deklaruar Noem gjatë një konference për shtyp në Brownsville, Teksas.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:59
SHBA/ Amerikanët protestojnë në vendin ku agjentët e ICE vranë një grua

1767823395_1011de2585ec4a4887f88392ea7702d2.jpg1.ëebp

Fotot e agjencisë së lajmeve Reuters tregojnë turma njerëzish të mbledhur në vendin e të shtënave fatale në Minneapolis, ku një grua mbeti e vrarë nga agjentët e Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave.

Ora 22:07
MOMENTI kur agjenti qëllon me pistoletë emigranten në SHBA (VIDEO)

 

Një agjent i Imigracionit dhe Doganave qëlloi dhe vrau një grua në Minneapolis pasi një grup njerëzish filluan të bllokonin agjentët gjatë një operacioni të lidhur me imigracionin, tha Departamenti i Sigurisë Kombëtare.

Media amerikane CNN ka publikuar pamjet e momentit tronditës.