Rikthehen konfliktet racore në Misuri. Një oficer policie në St Luis ka qëlluar për vdekje një adoleshent pasi e kishte ndjekur në një lagje të qytetit. Personi i vdekur mësohet të jetë një 18-vjeçar afrikano-amerikan, i cili thuhet se ka qëlluar në drejtim të oficerit të policisë, edhe pse raportet thonë se i dyshuari mbante vetëm një sanduiç në duart e tij.

Ende nuk dihen motivet pse ka qëlluar oficeri policor, i cili po kryente detyrën si roje private e sigurisë dhe ishte i veshur me uniformë. Ndërsa shefi i policisë lokale, Alfred Adkins tha: “Ndërsa polici doli nga makina, djemtë nisën të vraponin. Ai ndoqi njërin prej tyre, diku e humbi nga sytë dhe e gjeti pastaj pas një peme të vogël në rugë. Oficeri i është afruar duke u përleshur me të. Gjatë kësaj kohe, i riu nxori një armë dhe qëlloi në drejtim të tij. Oficeri iu përgjigj me zjarr dhe për fat të keq, i riu mbeti i vrarë.”

Të shtënat fatale mësohet të kenë ndodhur mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 07:30 me orën lokale në SHBA. Kjo pasoi marshime në rrugë përgjatë gjithë natës me brohoritmat “Ne jemi të rinj, jemi të fortë”, “Luftoni burrërisht, luftoni përsëri” etj. Këto ngjarje vijnë vetëm pak muaj pasi i riu Michael Brown u qëllua nga një polic, në po të njëjtin qytet. Vdekja e tij shkaktoi një javë protestash duke hapur edhe një debat mbarë kombëtar mbi sjelljen e policisë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)