SHBA thirrje për protesta paqësore
"Qeveria duhet të dëgjojë qytetarët"

SHBA thirrje për protesta paqësore<br />"Qeveria duhet të dëgjojë qytetarët"
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ftuar qeverinë, partitë e opozitës, dhe qytetarët, që të tregojnë përkushtimin e tyre të përbashkët për të ardhmen e Kosovës duke siguruar që protestat e planifikuara do të zhvillohen në mënyrë paqësore.

Në një komunikatë dërguar mediave, ambasada amerikane pohon se “qytetarët kanë të drejtë që t’ia shprehin ankesat e tyre qeverisë dhe qeveria ka për obligim që t’i dëgjojë dhe t’iu përgjigjet”.

“Zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës, migrimi ilegal, sundimi i ligjit, korrupsioni, dhe marrëdhëniet rajonale dhe etnike, janë sfida serioze dhe të ndërlikuara të cilat kërkojnë angazhim të gjerë dhe përpjekje në gjithë Kosovën  duke përfshirë institucionet, opozitën, shoqërinë civile, dhe mediumet”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane.

“Dhuna pengon zhvillimin e Kosovës dhe shërben për të tërhequr vëmendjen nga çështjet kritike me të cilat përballet vendi. Sjellja konstruktive dhe e padhunshme – në institucione dhe në rrugë – është e vetmja mënyrë që Kosova të përparojë”, thuhet në komunikatë.

Policia e Kosovës: "Protesta e së mërkurës pritet të jetë e dhunshme"

Ndërkohë Policia e Kosovës përmes një komunikate për media, ka bërë me dije se “bazuar në informacionet policore dhe vlerësimet e bëra të protestave të mëhershme, protesta e së mërkurës pritet të jetë e dhunshme, ku në mesin e protestuesve mund të ketë edhe persona të armatosur, të cilët kanë për qëllim destabilizimin e situatës dhe shkaktimin e incidenteve, qoftë ndaj zyrtarëve policorë apo edhe ndaj vetë protestuesve”.

Komunikata e policisë vjen një ditë para protestës së paralajmëruar për datën 4 shkurt, nën organizimin e partive politike në opozitë, në kërkim të shkarkimit të ministrit për kthim dhe komunitete në qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviç dhe shpalljes së kombinatit metalurgjik “Trepça” si ndërmarrje e veçantë publike.

Policia thotë se “përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të policisë për të kontaktuar me organizatorët e protestës së paralajmëruar për të mërkurën, për të diskutuar rreth mbarëvajtjes së qetë të kësaj proteste, i cili është qëllimi primar i Policisë së Kosovës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur për shkak të mos përgjigjes deri më tani nga ana e organizatorëve”. Protesta e fundit, e mbajtur më 27 janar, përshkallëzoi në përplasje ndërmjet protestuesve dhe forcave të rendit.

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje “të gjithë qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprim i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët kujdesen për rend dhe siguri publike”. Lëvizja Vetëvendosje, si partia e që organizoi protestat, ka hedhur poshtë pretendimet e policisë.


Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf