Merr një tjetër goditje të mëtejshme armëpushimi i brishtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. SHBA-të nisën një raund të tretë sulmesh kundër Iranit në hakmarrje për të shtënat ndaj anijes me flamur të Qipros që kalonte në Ngushticën e Hormuzit.

Këshilltari ushtarak i Liderit Suprem të Iranit, Mohsen Rezaei tha se ngushtica është më e rëndësishme se bombat bërthamore. 

Sulmet ajrore amerikane goditën 140 objektiva ushtarake iraniane, duke përfshirë vende për raketa dhe dronë, rrjete komunikimi dhe vende mbikëqyrjeje bregdetare.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se Irani bëri zgjedhjen e gabuar duke hapur zjarr ndaj anijes në Hormuz dhe se tani po paguan pasojat me sulme të reja.

Në përgjigje të sulmeve amerikane, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike i Iranit mbylli rrugën ujore deri në një njoftim të mëtejshëm dhe paralajmëroi përgjigje të ashpër ndaj agresionit të SHBA-së. Trump dhe Komanda Qendrore amerikane thonë se ngushtica është e hapur.

Brenda pak orësh Irani goditi një bazë amerikane në Jordani, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti dhe Bahreini iu përgjigjën raketave dhe dronëve.

Mediat e afërta me regjimin iranian, publikuan një listë të objektivave të sulmuara të cilat përfshinin Bazën Ajrore Amir Hussein në Jordani, Bazën Ajrore Al-Adid në Katar, portin e Al-Sheikh në Kuvajt, selinë e Flotës së Pestë të SHBA-së dhe zonën Al-Juffair në Bahrein, portin e Al-Daqam në Oman dhe depot e karburantit ushtarak amerikan në të njëjtën zone.

Kryenegociatori me SHBA-në, kryetari i parlamentit Iranian Ghalibaf shkroi në rrjetin social X se "epoka e marrëveshjeve të njëanshme ka mbaruar".

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:48
Axios: Depot e raketave, dronëve dhe radarët kanë qenë objektiva të sulmeve të SHBA-së në Iran gjatë ditëve të fundit

1783871438_yxtduuu.JPG

Agjencia e lajmeve Axios ka raportuar se sulmet amerikane në Iran gjatë ditëve të fundit kanë synuar radarët e mbikëqyrjes ajrore, depot e raketave dhe dronëve, vendet e lëshimit të raketave e dronëve, radarët e mbikëqyrjes sipërfaqësore, si dhe lëshuesit e raketave tokë-ajër.

Ora 16:24
Netanyahu: Trumpit duhet t'i jepet mundësia të shterojë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje përmes negociatave me Iranin

1783261337_donaldtrumpbenjaminnetanyahu.JPG

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Presidentit amerikan Donald Trump duhet t’i jepet mundësia të shterojë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Iranin përmes negociatave, veçanërisht për çështjen bërthamore.

"Mendoj se Presidentit Trump duhet t'i jepet mundësia të shterojë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje, veçanërisht për çështjen bërthamore, përmes negociatave. Por ai sigurisht nuk ngurron të përdorë forcën kur Irani shkel angazhimet e tij", tha kryeministri Benjamin Netanyahu në një intervistë me NBC News sot, në të cilën ai kujtoi senatorin Lindsey Graham, i cili vdiq mbrëmë.

"Izraeli është mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara për faktin që ne bashkuam forcat për të parandaluar Iranin të siguronte armë bërthamore, të cilat përbënin një kërcënim të menjëhershëm jo vetëm për ne, por për të gjithë Perëndimin", shtoi Netanyahu.

"Lindsey gjithmonë më thoshte se ne duhej të vepronim, përpara se Irani të vepronte kundër nesh", përfundoi ai.

Ora 15:50
Hormuzi, Trump: Ngushtica është e hapur! Kundërshton Irani: Lundrimi është i pamundur

Irani nuk e kontrollon Ngushticën e Hormuzit. Ngushtica është e hapur për të gjitha anijet që synojnë të kalojnë ligjërisht nëpër këtë rrugë ujore ndërkombëtare, është shprehur Komanda Qendrore amerikane. Të njëjtën gjë e ka konfirmuar më vonë edhe presidenti Donald Trump në një intervistë për NBC.

Ngushtica e Hormuzit është e hapur. Ne i kemi bombarduar rëndë”, tha ai.

Por ndryshe pretendon pala iraniane.

“Për shkak të manovrave të fundit të paligjshme të forcave ushtarake amerikane në rajon, kalimi përmes Ngushticës së Hormuzit është aktualisht i pamundur”, tha Autoriteti për Ngushticën e Gjirit Persik, duke shtuar: “Sapo të rikthehen stabiliteti dhe qetësia, të gjitha kërkesat do të shqyrtohen sipas një afati të paracaktuar dhe do të lëshohen lejet e nevojshme.”

Autoriteti, i krijuar nga Irani në muajin maj, synon të menaxhojë kalimin e anijeve dhe të ndryshojë në mënyrë të përhershme statusin e Ngushticës së Hormuzit.

Ora 13:46
Këshilltari i Khameneit: Për ne, Ngushtica e Hormuzit është më e rëndësishme se armët bërthamore

Foto: Mohsen Rezaei

Këshilltari ushtarak i Liderit Suprem të Iranit, Mohsen Rezaei, ish-kreu i Gardës Revolucionare, deklaroi sot se Ngushtica e Hormuzit, është më e rëndësishme për Iranin sesa programi i tij bërthamor.

"Ky kalim strategjik është më i rëndësishëm se dhjetëra bomba atomike dhe Republika Islamike e Iranit do ta mbrojë atë", tha Rezaei.

Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe vendet perëndimore dyshojnë se ky program ka qëllime ushtarake. Teherani i mohon këto akuza, por këmbëngul në të drejtën e tij për energji bërthamore civile.