SHBA - Shtëpia e Bardhë thotë se nuk ka ndryshim në politikën amerikane ndaj Iranit, por nga ana tjetër nuk ka mohuar lajmin e letrës sekrete që dyshohet t’i ketë dërguar presidenti Barack Obama udhëheqësit iranian Ayatollah Khomeinit.
 
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, në konferencën për shtyp ka komentuar lajmin e raportuar në media ku vihet në dukje se lufta kundër organizatës terroriste të ISIS paraqet interesin e përbashkët midis SHBA-së dhe Iranit.
 
“Nuk komentoj korrespodencat sekrete të presidentit Obama me ndonjë prej liderëve në botë. Unë vetëm mund të them se presidenti dhe administrata e tij nuk kanë ndryshuar asgjë në politikën e udhëhequr ndaj Iranit”.- tha Earnest.
 
Sipas Wall Street Journal, letra e dërguar në mesin e muajit tetor thotë se bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në luftën kundër grupit militant të ISIS është e lidhur me një marrëveshje të arritur mes Iranit dhe vendeve të tjera në programin e tij bërthamor.
 
Irani dhe gjashtë fuqitë, SHBA-të, Rusia, Franca, Gjermania, Kina dhe Britania, janë në bisedime për frenimin e veprimtarisë bërthamore të Iranit në këmbim të heqjes graduale të sanksioneve. Ata po përballen me një vetëimponim për të përfunduar marrëveshjen e plotë më 24 nëntor.
 
Administrata e Obamas në javët e fundit ka intensifikuar luftën kundër ISIS dhe grupeve të tjera terroriste ku ka shpeshtuar kontaktet me autoritetet iraniane. Mediat amerikane raportojnë që kjo është të paktën letra e katërt që administrata e Obamas iu dërgon ‘fshehurazi’ liderëve iranianë dhe këtë e bën fshehurazi në mënyrë që të mos shkaktojë trazira në Izrael dhe disa vende arabe.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)