Irani bëri të ditur të hënën se ka zhvilluar me Omanin takimin e parë të Komitetit të Përbashkët për Ngushticën e Hormuzit, vetëm pak javë pasi nënshkroi marrëveshjen kuadër me Shtetet e Bashkuara.

Njoftimi erdhi pasi disa media amerikane raportuan se Uashingtoni dhe Teherani kanë rënë dakord të ndalin përkohësisht sulmet dhe pritet të rifillojnë bisedimet në Doha të martën. Raportet, që citojnë zyrtarë të lartë amerikanë, nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga SHBA, Irani apo Katari.

Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, tha se gjatë vizitës në Muskat u diskutuan çështjet aktuale që lidhen me ngushticën dhe mënyra e menaxhimit të saj në të ardhmen.

Marrëveshja kuadër mes SHBA-së dhe Iranit u nënshkrua më 17 qershor dhe parashikon një periudhë 60-ditore negociatash për programin bërthamor iranian, heqjen e sanksioneve dhe statusin afatgjatë të Ngushticës së Hormuzit.

Ngushtica mbetet pika më e ndjeshme e negociatave. Irani e bllokoi atë më 28 shkurt, ditën kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ajrore ndaj territorit iranian. Bllokimi shkaktoi rritje të çmimeve të energjisë dhe pengoi transportin global të naftës dhe gazit për më shumë se katër muaj.

Teherani këmbëngul që anijet të kalojnë në korridorin pranë brigjeve iraniane dhe paralajmëroi të dielën se çdo përpjekje për të përdorur rrugë të tjera do të rriste tensionet në Lindjen e Mesme.

Nga ana tjetër, Marina amerikane njoftoi këtë fundjavë zgjerimin e një korridori detar pranë brigjeve të Omanit, një lëvizje që Irani e konsideron sfidë ndaj autoritetit të tij mbi lundrimin në zonë.

Tensionet u rritën sërish të dielën, pasi Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) tha se goditi 10 objektiva ushtarake iraniane, duke e lidhur operacionin me sulmet e vazhdueshme iraniane ndaj anijeve tregtare. Sulmi erdhi pasi një dron iranian goditi të shtunën cisternën e naftës "M/T Kiku", me flamur panamez, që po lundronte drejt Fujairahut në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Irani deklaroi se u kundërpërgjigj me sulme ndaj bazave amerikane në Kuvajt dhe Bahrein, përfshirë selinë e Flotës së Pestë Amerikane në Bahrein dhe bazën ajrore Ali Al Salem në Kuvajt. Të dy vendet dënuan sulmet.

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghçi paralajmëroi se çdo përpjekje për të krijuar rregulla të reja lundrimi jashtë atyre të vendosura nga Irani vetëm sa do ta komplikonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe do të rriste tensionet.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump përsëriti paralajmërimin se SHBA-ja do të ndërmarrë veprime të plota ushtarake nëse Irani rifillon sulmet ndaj transportit detar, duke deklaruar se Irani "nuk do të ekzistojë më" nëse Uashingtoni detyrohet të rifillojë luftën.