Donald Trump tha se Irani duhet të arrijë një marrëveshje brenda marsit, në të kundërt do të jetë shumë e vështirë për ta.

Duhet të arrijmë një marrëveshje me Iranin, përndryshe do të jetë shumë dramatike. Nuk dua që kjo të ndodhë, por duhet të arrijmë një marrëveshje”, deklaroi presidenti amerikan Donald Trump, duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë. “Nëse marrëveshja nuk është shumë e drejtë dhe një marrëveshje shumë e mirë me Iranin, atëherë do të jetë, mendoj, një moment shumë i vështirë për ta”, shtoi Trump, sipas të cilit marrëveshja duhet të arrihet ”brenda muajit të ardhshëm sepse duhet gjetur shpejt”.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, reagoi me një postim në X se “arritja e një marrëveshjeje për programin bërthamor është e mundur, por vetëm nëse është e drejtë dhe e balancuar. Teherani do ta mbrojë sovranitetin e vet me çdo kusht. Të drejtat dhe dinjiteti ynë nuk janë të negociueshme”.

Televizioni shtetëror iranian transmetoi një listë me shtatë politikanë dhe zyrtarë të lartë izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, duke kërcënuar se do t’i godasë me sulme me dronë. Përveç Netanyahut, lista përfshin ndër të tjerë ministrin e Mbrojtjes Israel Katz, shefin e shtabit të Forcave të Armatosura të Izraelit, Eyal Zamir, si dhe drejtuesin e Mossad, David Barnea. Prezantuesi lëshoi gjithashtu një kërcënim në hebraisht gjatë transmetimit: “Ne do ta përcaktojmë orën e vdekjes suaj, prisni Ababilin”, duke iu referuar dronit të prodhimit iranian.

Aeroplanmbajtësja më e madhe në botë ka marrë urdhër të niset nga Deti i Karaibeve drejt Lindjes së Mesme, deklaroi një burim i cili ka njohuri lidhur me planet, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump po vlerëson mundësinë e ndërmarrjes së një veprimi ushtarak kundër Iranit. Lajmi është raportuar nga mediat amerikane.

Zhvendosja e USS Gerald R. Ford, e bërë publike për herë të parë nga The New York Times, do ta çojë në dy numrin e aeroplanmbajtëseve në rajon, ndërsa Trump rrit presionin ndaj Iranit për të arritur një marrëveshje për programin e tij bërthamor. USS Abraham Lincoln ka mbërritur në Lindjen e Mesme më shumë se dy javë më parë.

Departamenti i Financave i Shteteve të Bashkuara ka lëshuar një urdhër për bombat anti-bunker GBU-57 Massive Ordnance Penetrator, “me rëndësi thelbësore” për “rivendosjen e gatishmërisë operacionale” pasi rezervat u shteruan gjatë operacionit Midnight Hammer në Iran.

Autoritetet në Iran kanë liruar dy figura të rëndësishme të kampit reformist, të cilët ishin arrestuar javët e fundit pas protestave të janarit kundër regjimit. Këtë e bëri të ditur avokati i tyre, Hojjat Kermani, për agjencinë e lajmeve ISNA, sipas së cilës “Javad Emam dhe Ebrahim Asgharzadeh janë liruar pasi paguan garancinë”.

Asgharzadeh është ish-deputet, ndërsa Emam është zëdhënësi i koalicionit kryesor që bashkon reformistët.