Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, deklaroi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork se vendi i tij është i gatshëm të bisedojë me Shtetet e Bashkuara, por nuk do të pranojë të negociojë nën kërcënime. Në fjalimin e tij, ai akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për sulmet ndaj Iranit, kritikoi sanksionet, mbrojti programin bërthamor të vendit dhe, në përfundim të fjalimit, tha se Teherani është i gatshëm për negociata, por nuk pranon gjuhën e forcës.
“Kisha përgatitur një fjalim për t’ju mbajtur, por dje presidenti i Shteteve të Bashkuara na quajti terroristë. Ne kemi qenë viktima të terrorizmit”, tha Pezeshkian në nisje. Ai iu referua edhe vrasjes së udhëheqësit suprem të Iranit, të cilën e cilësoi të pajustifikuar dhe pa bazë ligjore.
Gjatë fjalimit, presidenti iranian shfaqi fotografi të vendeve ku, sipas tij, dhjetëra fëmijë janë vrarë nga bombardimet amerikane dhe izraelite. Pas kritikave të tij ndaj SHBA-së dhe shfaqjes së fotografive, delegacioni amerikan u largua nga salla e Asamblesë.

Pezeshkian akuzoi Izraelin se vret civilë, ndërsa Irani përballet me sanksione. “Ata vrasin, ndërsa ne sanksionohemi. Ne ndëshkohemi”, tha ai. Sipas presidentit iranian, sanksionet godasin veçanërisht të sëmurët, të varfrit dhe shtresat më në nevojë. Ai akuzoi SHBA-në se sakrifikon popullsinë e vendeve të tjera për të ndjekur synimet e saj dhe kërkoi zbatimin e të njëjtave standarde për të gjithë, nëse synohet paqe dhe stabilitet.
Duke folur për programin bërthamor, Pezeshkian mohoi se Irani kërkon të ndërtojë armë. “Jo armëve bërthamore dhe jo kufizimeve ndaj teknologjisë bërthamore paqësore”, deklaroi ai. Presidenti iranian tha se vendit i duhet kjo teknologji për energji, trajtime mjekësore, bujqësi dhe zhvillim industrial.
“Nuk do të ulim kokën dhe nuk do të heqim dorë nga një e drejtë që na takon”, shtoi ai, duke kundërshtuar që teknologjia bërthamore të jetë në dispozicion vetëm të një numri të vogël shtetesh. Sipas Pezeshkianit, Irani duhet të jetë i fortë për të shmangur kërcënimet, por nuk synon ta përdorë forcën për të sunduar të tjerët.
Presidenti iranian foli më pas për Ngushticën e Hormuzit. Ai tha se Irani nuk i sheh vendet fqinje si rivale në fushën e sigurisë, por nuk mund të pranojë që shtete të tjera të përdorin këtë rrugë detare për përfitimet e tyre dhe, njëkohësisht, për veprime kundër Iranit.
“Nuk mund të lejojmë që disa të kenë qasje të lirë dhe të përfitojnë nga kjo rrugë ujore, ndërsa e përdorin për të na sulmuar, për të na destabilizuar dhe për të na penguar hyrjen në ujërat tona”, tha ai. Pezeshkian akuzoi gjithashtu vende të tjera se furnizojnë rajonin me raketa dhe teknologji ushtarake. “Nuk do të lëshojmë pe”, deklaroi ai.
Në përfundim, presidenti iranian iu drejtua drejtpërdrejt Trumpit: “Zoti Trump dhe ata që kërkojnë të na frikësojnë duhet të kuptojnë se Irani është i gatshëm për dialog, diplomaci dhe negociata, por nuk pranon gjuhën e forcës.” Ai shtoi se qëndresa e Iranit do të rritet përballë sanksioneve dhe presionit.
Lajmi kryesor:
Trump e Zelensky përpjekje për fundin e luftës në Ukrainë: Me ndihmën e SHBA, realizohet brenda dimrit










