Nga përplasja e fortë e BE-së, në epokën e komisionerit Mario Monti, kundër Microsoft-it, e akuzuar për abuzim me pozitën dominuese – një përplasje e nisur në vitin 1998 dhe që përfundoi me maksigjobën e parë transatlantike në vitin 2004 deri te një “luftë e ftohtë” e mirëfilltë mbi teknologjinë e lartë, e shpërthyer nga SHBA-të kundër Brukselit.

Një ofensivë e ndërtuar mbi tarifa ndëshkuese dhe, tani, edhe mbi ndalimin e personave, mes tyre në radhë të parë ish-komisioneri Breton, të akuzuar se janë mbrojtës të rregullave për mbrojtjen e përdoruesve digjitalë. Ligje  Digital Markets Act dhe Digital Services Act  të miratuara vitin e kaluar me shumicë të gjerë dhe të mbështetura nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.

Në epokën e Donald Trump dhe të gjigantëve teknologjikë që e mbështesin atë, kemi kaluar në mënyrë të beftë nga konfliktet mes Komisionit Evropian dhe gjigantëve të veçantë të Silicon Valley, që kanë shkelur rregullat e tij antitrust dhe ato për mbrojtjen e privatësisë së përdoruesve, në një sfidë të hedhur nga qeveria amerikane, e cila ka në qendër natyrën dhe kufijtë e fjalës së lirë dhe të sovranitetit digjital.

Me Evropën që, pasi hoqi dorë në korrik nga vendosja e një takese digjitale të papëlqyer nga amerikanët për të çaktivizuar tarifat ndëshkuese të Trump-it, sot – me qeverinë amerikane që shkon deri aty sa të trajtojë zyrtarë dhe politikanë evropianë sikur të ishin oligarkë rusë të goditur nga sanksionet – detyrohet të deklarojë, përmes një zëdhënësi, se “sovraniteti normativ i BE-së nuk është i negociueshëm”.

Për më shumë se një çerek shekulli, tensionet mes Brukselit dhe gjigantëve të “big tech” kanë qenë një fakt endemik, në të cilin qeveria amerikane nuk ka ndërhyrë me peshë të madhe, edhe sepse që në fillim, në vitin 1998, hetimi i BE-së ndoqi një ankesë të ngjashme kundër Microsoft-it nga vetë Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Pas Microsoft-it, në dekadën e dytë të shekullit XXI, radha i erdhi gjigantit të ri të internetit, Google, i dënuar tri herë me gjoba miliardëshe për sjellje antikonkurruese: detyrimin e kompanive telefonike që të para-instalonin në telefonat e tyre inteligjentë sistemin operativ Android nëse donin të kishin akses në shërbimet digjitale të Play Store; favorizimin e produkteve dhe platformës së vet në shërbimet e blerjeve online; bllokimin e reklamave të konkurrentëve duke i dhënë përparësi atyre të shpërndara përmes rrjetit të tij, AdSense.

Me GDPR-në, rregulloren për mbrojtjen e të dhënave të miratuar në vitin 2016 dhe të hyrë në fuqi dy vite më vonë, Evropa bën një hap cilësor: jo më vetëm konkurrencë dhe treg, por edhe privatësi, mbrojtje e të dhënave të qytetarëve për t’i mbajtur larg përdorimeve abuzive të “big data”. Jo më çështje kundër kompanive individuale, por një sistem i ri që i detyron ndërmarrjet e mëdha digjitale, pothuajse të gjitha amerikane, të rishikojnë mënyrën e tyre të mbledhjes “me rrjetë të gjerë” të të dhënave, duke u përvetësuar të gjitha ato të përdoruesve dhe ndërveprimeve të tyre.

Me dy ligjet rregullatore të vitit 2024 (Digital Markets Act dhe Digital Services Act, të përmendura më sipër) dhe me sanksionet e para për shkeljet e vendosura ndaj Apple (1,8 miliardë euro), Meta (797 milionë) dhe X (120 milionë), tensionet shndërrohen papritur në zjarr.

Filozofi të ndryshme, tarifa doganore dhe një sulm ndaj sovranitetit normativ të Evropës. Reagimi tejet i ashpër amerikan mund të interpretohet në tri mënyra: 1) Thyerja e digave të tensioneve latente dhe në rritje, të lidhura me disa dallime themelore mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës për sa i përket mbrojtjes së qytetarëve dhe lirisë së ndërmarrjeve: vendet e Kontinentit të Vjetër, të mësuara me një nivel më të lartë ndërhyrjeje publike, që vendosin në plan të parë mbrojtjen e lirive civile të qytetarëve të tyre dhe mbrojtjen e konsumatorëve, ndërsa në Botën e Re theksi vihet kryesisht te dinamizmi sipërmarrës, konkurrueshmëria globale dhe mbrojtja e sigurisë kombëtare. Vlera e mbrojtjes së privatësisë nuk injorohet, por mbetet në plan të dytë: duhet konkurruar Kina, e cila e ka fshirë atë. Duke u nisur nga ky këndvështrim, Administrata Trump i percepton normat evropiane si barriera proteksioniste që godasin kryesisht ndërmarrjet amerikane (e pashmangshme, duke qenë se në fushën digjitale dominojnë ato të Silicon Valley).

2) Trump që përdor edhe rregullat në fushën digjitale për të luajtur lojën që e pasionon më shumë: atë të tarifave doganore. Në korrik, Brukseli hoqi dorë nga “digital tax” për të siguruar uljen në 15% të tarifave marramendëse që presidenti amerikan kishte thënë se do t’i vendoste BE-së. Por për çelikun dhe aluminin tarifat mbetën në 50% dhe në gusht, ndërsa Administrata amerikane zgjeronte sërish përdorimin e maxitarifave, duke i aplikuar ato për shumë produkte që përmbajnë këto metale, ministri i Tregtisë Hoëard Lutnick i kërkoi BE-së të rishikonte normat digjitale në një drejtim më të favorshëm për ndërmarrjet amerikane, duke premtuar, në këmbim, një qëndrim më të butë të Uashingtonit për tarifat.

3) Presidenca Trump që, në mandatin e dytë, është autoritare në planin e brendshëm dhe imperiale në marrëdhëniet ndërkombëtare, po e çon përshkallëzimin në raport me aleatët e vjetër në një nivel të ri: nëse brenda vendit “The Donald” po shkatërron sistemin e balancave dhe kundërbalancave që për më shumë se dy shekuj ka garantuar ekuilibrin e demokracisë amerikane, jashtë ushtron presion gjithnjë e më të madh mbi partnerët e tij. Jo vetëm BE-në: edhe Britania e Madhe dhe Koreja e Jugut janë nën kërcënime për faktin se kanë miratuar masa digjitale për mbrojtjen e qytetarëve, të ngjashme me ato evropiane. Të gjithë sulmohen jo sepse Uashingtoni nuk i do këto vende si aleatë, por sepse duket se preferon aleatë vasalë.

Fjalët e ashpra të sekretarit të Shtetit Marco Rubio emërimi i të cilit, një vit më parë, kishte bërë të merrnin frymë të lehtësuar perëndimorët që shihnin tek ai fytyrën e moderuar dhe dialoguese të trumpizmit fatkeqësisht lënë të kuptohet se po shkohet drejt hipotezës së tretë:

«Politika jonë e jashtme “America First” parashikon që të refuzohet çdo shkelje e sovranitetit amerikan». Rubio i përkufizon më pas ligjet evropiane që zbatohen ndaj ndërmarrjeve amerikane vetëm kur ato operojnë në kontinentin tonë si «një teprim i ndërhyrjeve ekstraterritoriale nga ana e censuruesve të huaj». Moderimi i përmbajtjeve të publikuara në rrjet për të bllokuar shpifjet, përhapjen e gënjeshtrave të hapura dhe urrejtjen barazohet me censurë të pastër, edhe pse në të kaluarën Facebook, Tëitter dhe rrjetet e tjera amerikane kanë vënë në punë dhjetëra mijëra “moderatorë”./Corriere della Sera