ROSKOVEC- Një pjesë e murit të shtëpisë u shemb disa muaj më parë. Që nga ajo ditë, frika e shoqëron çdo ditë Shpresa Fetahun.

“Isha duke zën bukë dhe ra muri. U tremba shumë. Unë kërkoj ndihmë se s’kemi të ardhura, veç një pension sa për ilaçe. Kush mund të na ndihmojë për të rindërtuar banesën”, tha  Shpresa Fetahu

Ndërtuar 60 vite më parë me gurë dhe baltë, shtepia është amortizuar rëndë.  Muret e çara dhe çatia e tregojnë qartë rrezikun që i kanoset familjes.

72-vjeçari Halim Fetahu tregon se u përpoq ta riparonte vetë murin e shembur, por pa arritur të shmangë rrezikun. Me zërin që i dridhet, ai thotë se pensioni nuk mjafton as për ilaçet, e jo më për të mbajtur në këmbë një shtëpi që po shembet.

“Para 6 ditësh na ra muri i shtëpisë dhe u përpoqa ta riparoj por sërish rrezikon të bie. Edhe çatia është e dëmtuar. Ne kemi disa dele dhe pensionet, me ato jetojmë. Për shtëpinë kemi hall se e kemi të pamundur ta rindërtojmë vetë”, tha Halim Fetahu.

Mes shumë vështirësish çifti i moshuar kujdeset dhe për djalin e sëmurë, i cili nuk është në gjendje të punojë.

Ndërkohë, Bashkia e Roskovecit ka premtuar se së shpejti do të beje verifikimin e dëmeve dhe do të shohe mundësine per ta riparuar. Deri atëherë, familja Fetahu në fshatin Ngjeqar do ta presë Vitin e Ri në këtë shtëpi të rrënuar, mes varferise dhe pasigurisë për jetën.