Jay Clayton është betuar si drejtori i nëntë i Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së (DNI), duke marrë në dorë drejtimin e Komunitetit të Inteligjencës amerikane pas konfirmimit nga Senati javën e kaluar.

Clayton, ish-prokuror i SHBA-ve për Distriktin Jugor të Nju Jorkut dhe ish-kryetar i Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve (SEC), do të ketë përgjegjësinë për koordinimin e punës së 18 agjencive të inteligjencës amerikane.

Ai do të shërbejë gjithashtu si këshilltari kryesor i presidentit për çështjet që lidhen me inteligjencën kombëtare.

Gjatë ceremonisë së betimit, Clayton falënderoi Presidentin Donald Trump për besimin e dhënë dhe theksoi se forcimi i kapaciteteve të inteligjencës do të jetë prioriteti i tij kryesor në këtë detyrë.

“Inteligjenca është mbrojtja jonë e parë dhe ne duhet ta kryejmë këtë mision siç duhet”, deklaroi Clayton.

Ai kujtoi se Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI) u krijua pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, me qëllim përmirësimin e koordinimit dhe shmangien e dështimeve të ngjashme në të ardhmen. Sipas tij, kërcënimet ndaj sigurisë së SHBA-së nga kundërshtarët e saj vazhdojnë të jenë të pranishme.

“Siguria dhe mbrojtja e popullit amerikan do të jenë udhërrëfyesi ynë kryesor”, u shpreh ai, duke premtuar më shumë transparencë, përgjegjshmëri dhe mbikëqyrje brenda komunitetit të inteligjencës.

Clayton nënvizoi gjithashtu se agjencitë e inteligjencës duhet të qëndrojnë të përqendruara te misioni i tyre dhe të garantojnë që puna e tyre të mos përdoret për interesa politike.

Ai zëvendëson Tulsi Gabbard, e cila la postin në qershor, pasi deklaroi se duhej t’i kushtonte më shumë kohë kujdesit ndaj bashkëshortit të saj pas diagnostikimit me kancer.