Transferimi i shqiptarëve nga burgjet britanike në ato shqiptare, për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, ishte një nga temat e takimit mes drejtoreshës së Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo, dhe ambasadorit britanik në Tiranë, Nicholas Abbott. Palët diskutuan vijimin e marrëveshjes mes dy vendeve, si dhe projektet për modernizimin e burgjeve dhe përmirësimin e kushteve në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar parashikon që shtetasit shqiptarë të dënuar në Britani të transferohen në vendin e tyre për të kryer pjesën e mbetur të dënimit. Gjatë takimit u diskutua vazhdimi i zbatimit të saj, por nuk u dhanë detaje për numrin e të dënuarve që mund të transferohen apo për afatet e procesit.
Një tjetër çështje ishte mbështetja britanike për sistemin shqiptar të burgjeve. Palët diskutuan vijimin e projekteve të përbashkëta për investime, modernizimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e kushteve logjistike në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Gjatë bisedës u prekën edhe problemet me të cilat përballet Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, përfshirë ato që institucioni i përshkruan si “presione të natyrave të ndryshme”. Në njoftim nuk jepen hollësi se për çfarë presionesh bëhet fjalë.
“Pavarësisht problematikave dhe sfidave të hasura, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve garantoi palën britanike se do të vijojë përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive funksionale në përputhje të plotë me ligjin, me profesionalizëm dhe paanshmëri institucionale, duke garantuar respektimin e të drejtave dhe trajtimin dinjitoz të personave të privuar nga liria”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Burgjeve.
-
Mos!!!!!! Tani e sigurt do lind nevoja per ndertimin e shume burgjeve te reja.Do vijne "specialistet e barit te bardhe" e gjithefar halabakesh te denuar atje.
Përgjigju







Komente
Komento