TIRANE- Shefi i Antidrogës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë ka përplasur për vdekje një 17 vjeçar. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës, në kilometrin e 8-të, ku para pak kohësh në këtë rrugë janë vendosur edhe disa tabela që tregojnë se çdo shofer duhet të kalojë me një shpejtësi prej 60 km/orë. Artan Shkëmbi ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij tip “Tuareg” me targa TR 1767 T nga Tirana në drejtim të Durrësit.

Në momentin e ngjarjes, Shkëmbi nuk është larguar nga vendi i ngjarjes, por ka ndaluar për t’i ofruar ndihmë 17 vjeçarit Eriglen Sinanaj. Pas kësaj, policia e mbërritur në vendin e ngjarjes kanë shoqëruar Shkëmbin në ambientet e Drejtorisë së Policisë për tu marrë në pyetje rreth ngjarjes së ndodhur. Ndërkohë, mësohet se viktima ka qenë së bashku me tre shokë të tjerë në anën tjetër të korsisë. Tre shokët kanë kaluar në anën tjetër të rrugës nëpërmjet mbikalimit, ndërsa 17 vjeçari kishte vendosur të kalonte më shkurt, përmes autostradës. Po ashtu, të pranishëm në vendin e ngjarjes ishin edhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Ngjarja
Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:00 minuta, Artan Shkëmbi me detyrë Shef i Antidrogës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij nga Tirana për në Durrës, kur ka përplasur një kalimtar të rastit. Sipas policisë, viktivë e ngjarjes mbeti 17 vjeçari Eriglen Sinanaj. Në momentin e ngjarjes, viktima ka qenë me tre shokët e tij të cilët ishin duke shkuar për në banesat e tyre të cilat ndodheshin aty pranë.

Tre djemtë e tjerë po shkonin drejt mbikalimit për të kaluar në anën tjetër të rrugës, ndërsa Sinanaj i cili ndodhej rreth 1 km larg mbikalimit, nuk ka përdorur rrugën e sigurt, por atë më të shkurtër që rezultoi edhe fatale për jetën e tij. Aksidenti ndodhi në kilometrin e 8 të autostradës, ku qarkullimi i automjeteve u bllokua për rreth 30 minuta.

Sipas dëshmisë së tre shokëve të viktimës, shkak i kësaj ngjarjeje ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara të automjetit të Shefit të Antidrogës, ndërsa policia ka sekuestruar edhe disa pamje filmike të disa bizneseve aty pranë. Pas ngjarjes, policia shoqëroi Artan Shkëmbin në ambientet e policisë së Tiranës, ndërkohë që kanë nisur edhe hetimet për zbardhjen e plotë të këtij aksidenti.

aksident tirane durres

aksident tirane durres

aksident tirane durres
 Foto të tjera..

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)